E Shtunë, 31 Tetor 2026

Janari, sërish i shtrenjtë për konsumatorët


TIRANË - Ndryshe nga vendet e rajonit, të cilët të mbërthyer nga kriza ekonomike po shënojnë rënie të konsiderueshme të çmimeve, gjatë muajit janar, shqiptarët i kanë blerë mallrat dhe shërbimet më shtrenjtë se muaji paraardhës.

Të dhënat nga Instituti i Statistikave, tregojnë se për muajin janar, inflacioni për këtë muaj ka shënuar 2.6 për qind, duke u pësuar një rritje me 0.4 pikë përqindje në krahasim me muajin e kaluar.

Njësoj si muaji dhjetor 2008, edhe për janarin, ndikimin më të madh në rritjen e inflacionit e kanë pasur grupi "Ushqime dhe pije jo alkolike", i cili në total shënoi një rritje prej 0.6 përqindësh në krahasim me muajin e kaluar. Brenda këtij grupi, vendin e parë e zë nëngrupi "zarzavate, përfshirë patatet", me 13.7 për qind.

Të ndikuar edhe nga stina, ky nëngrup ka shënuar një rritje të konsiderueshme në krahasim me muajin dhjetor 2008, i cili gjithashtu, i ndikuar edhe nga festat e fundvitit, shënoi rritje. Kështu, për muajin janar mund të përmendim rritjen e çmimit të lulelakrës, me 42.7 për qind, të domateve, me 39.4 për qind, sallatës jeshile, me 37.9 për qind. Rritje, gjithashtu, ka pësuar edhe çmimi i kastravecave me 15.5 për qind, spinaqit, me 16.9 për qind dhe specave, me 8 për qind.

Edhe çmimet e frutave kanë pësuar rritje gjatë këtij muaji. Kështu, çmimi i mandarinave shënon një rritje me 10.4 për qind, mollëve me 7.6 për qind, dardhat me 5.2 për qind dhe bananet, të cilat nuk kanë shkuar me shumë se 1.2 për qind, krahasuar me muajin dhjetor 2008.


I ndikuar edhe nga ulja e ndjeshme e çmimit të naftës dhe të benzinës, të cilat respektivisht, për muajin janar shënuan ulje me 8.9 dhe 6.4 për qind, indeksi i grupit "Transport", në total shënoi një ulje prej 1.8 përqindësh.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›