Po sikur...
Edmond Tupja
Po sikur të ndodhte e pabesueshmja? Cila e pabesueshme? – do të pyesësh me të drejtë ti, lexues i vëmendshëm dhe i paanshëm i rubrikës sime të ditës së diel. Po ja, sikur të zbulohej që trupi i pajetë i të ndjerit zoti Trebicka nuk është në fakt i tiji, por ai i një kipci! Logjikisht dhe fare natyrshëm do të mendohej se ai, Trebicka i vërtetë, qenkej gjallë dhe se, në këto kushte të paparashikueshme, ai mund të dëshmojë për aferën e Gërdecit. Jam i sigurt që familja dhe të afërmit e tij do të gëzoheshin dhe gëzimi i tyre do të ishte krejt i kuptueshëm. Por kush do të gëzohej tjetër? Shokë e miq, pa diskutim. Po tjetër? Drejtësia shqiptare, pa asnjë dyshim, të paktën teorikisht, sepse dëshmia e të lartpërmendurit do ta ndihmonte sado pak në sqarimin e çështjes së Gërdecit. Do të gëzohej gjithashtu e djathta në pushtet në përgjithësi dhe kreu i ekzekutivit në veçanti, sepse, të paktën teorikisht, do të pushonin insinuatat ose deklarimet e hapta lidhur me rrethanat e vrasjes në fjalë dhe implikimin (e mundshëm për disa, e sigurt për disa të tjerë) të Hasanit apo të Hysenit në këtë ngjarje. Së fundi, do të gëzohesha edhe unë si shok klase në gjimnaz me të motrën e të ndjerit e më vonë si koleg i saj, por edhe si qytetar shqiptar të cilit mënyra sesi po hetohet kjo vrasje i ka lënë, pas tragjedisë së Gërdecit, një shije shumë të keqe, ndër të tjera edhe për pështjellimin që ka krijuar në mendjet dhe ndërgjegjet e shqetësuara të njerëzve, disa prej të cilëve priren ta krahasojnë klimën psikologjike të krijuar këto ditë në Shqipëri me atë të viteve ’70 të shekullit të kaluar në Amerikën Latine.
Nga ana tjetër, kush do të shqetësohej nga kjo “ringjallje”? Sigurisht, ata që pandehën se e kishin eliminuar fizikisht zotin Trebicka në mënyrë që ai të mbyllte përfundimisht gojën, qofshin këta mafiozë, mafio-politikanë apo politikano-mafiozë të brendshëm ose të përtej kufirit. Këta do të shqetësoheshin dhe do të orvateshin sërish e dëshpërimisht ta rivrisnin një herë e mirë dëshmitarin e bezdisshëm. Por kjo “ringjallje” do t’i prishte sërish terezinë Hasanit dhe Hysenit të lartpërmendur, por ndoshta duke hedhur hijen e rëndë të dyshimit edhe në sfera të tjera. Përtej Hasanit e Hysenit, do të viheshin edhe më shumë në pikëpyetje disa personalitete të implikuara në tragjedinë e Gërdecit, të cilët ende nuk e dinë se në ç’drejtim do të anojë peshorja e drejtësisë shqiptare.
Së fundi, por jo më së paku, “ringjallja” në fjalë do ta linte me gisht në gojë opozitën e sotme dhe mitingu i saj i pardjeshëm do ta humbte krejtësisht si themelin ashtu edhe kuptimin e tij, çka do t’i shtynte disa nga liderët e saj që të uronin me gjithë shpirt, por heshturazi gjithsesi, vrasjen e dytë e përfundimtare të protagonistit të “ringjallur” në mënyrë që të organizonin rishtas një miting tjetër edhe më madhështor, edhe më masiv, edhe më të studiuar deri në hollësitë më të vogla për ta instrumentalizuar pikërisht vrasjen e dytë me qëllimin e vetëm për të arritur fitoren në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Por le të mos fantazojmë më (edhe humori më i zi ka disa caqe që morali më elementar më ndalon t’i kapërcej) dhe le t’i kthehemi përfundimisht realitetit tonë të hidhur. I ndjeri zoti Trebicka është vrarë në rrethana qartësisht të errëta ose (tm)errësisht të qarta. Demokracia e brishtë shqiptare nuk kishte nevojë për këtë vrasje mafio-politike apo politiko-mafioze, e cila nuk është e para e këtij lloji në Shqipërinë postkomuniste. Kjo vrasje e vë të djathtën në pushtet në pozitë shumë të vështirë, kurse të majtën në opozitë e ndihmon që t’i shtrëngojë radhët e të rigjejë për një çast unitetin e krisur apo të thyer, çka do të thotë që asaj tymi ka nisur t’i shkojë fjollë, të paktën në dukje. Por kujdes, ama: atje ku ka tym, ka zjarr!