E Shtunë, 31 Tetor 2026

Janina i dhuron një borëpastruese Prefekturës së Gjirokastrës

Janina i dhuron Gjirokastrës një makinë borëpastruese. Ekzistenca e një marrëveshjeje bashkëpunimi mes këtij qarku dhe Prefekturës së Gjirokastrës nënshkruar një muaj më parë, mundësoi që automjeti mjaft i domosdoshëm sidomos për zonat malore të Gjirokastrës, të merret në dispozicion ditën e djeshme nga autoritetet shqiptare. Në ceremoninë e dhurimit të automjetit borëpastrues organizuar në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës kanë marrë pjesë përveç prefektit të dorëhequr të Gjirokastrës Spiro Ksera, edhe homologu i tij grek nga Janina Dhimitris Panozahos. Ky i fundit ka premtuar se kjo marrëveshje do ti paraprijë të marrëveshjeve të tjera, të cilat do të kenë në thelb ndihmesën që do të japë pushteti lokal për rajonin e Gjirokastrës. Zoti Panozahos e ka bërë këtë deklaratë duke marrë parasysh se edhe gjatë dy viteve të fundit falë kontributit të ish prefektit Spiro Ksera prefektura e Gjirokastrës ka marrë ndihma në pajisje dhe automjete kryesisht për shërbimin zjarrfikës nga Greqia. Ndërsa vetë zoti Ksera ka shprehur besimin se makina borëpastruese bëhet e domosdoshme në kushtet kur në rajonin jugor gjatë viteve të fundit ka pasur probleme me qarkullimin e automjeteve në motet me reshje të dendura dëbore. Pikat më të larta si Qafa e Muzinës, komunat e Frashërit dhe Ballabanit në Përmet apo ato të Zagories dhe Pogonit në Gjirokastër gjatë viteve të fundit, janë bllokuar pikërisht nga mungesa e një makine borëpastruese. Makina borëpastruese është e pajisur me të gjithë aksesorët e vet dhe sot është kaluar në pronësi të Ndërmarrjes së Rrugëve.    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›