Bumçi: Në shtator hiqet taksa për fasonët dhe rimbursohet TVSH
Kandidatët e Partisë Demokratike të qarkut të Tiranës janë takuar me përfaqësues të biznesit të Fasonëve dhe me punonjësit e tyre. Aldo Bumçi, Florjon Mima dhe Jorida Tabaku, u njohën më nga afër me shqetësimet dhe problematikën më të cilën ndeshet ky biznes, ku janë të punësuar më shumë se 100 mijë qytetarë në mbarë vendin. Kryetari i Partisë Demokratike për Tiranën dhe njëherazi kandidat për deputet, Aldo Bumçi, deklaroi se mbrojtja e biznesit ka qenë në qendër të politikave të Partisë Demokratike në këto katër vite, nëpërmjet uljes në mënyrë të ndjeshme të taksave dhe dhënien prioritet investimeve, të cilat bënë të mundur hapjen e vendeve të reja të punës. Bumçi evidentoi se nëpërmjet politikave ekonomike të qeverisë, si në asnjë vend tjetër në Evropë, u dyfishuan rrogat dhe pensionet.
Qeveria ndërmori një sërë reformash fiskale për mbrojtjen e biznesit dhe rritjen e investimeve. Pavarësisht nga kriza ekonomike botërore, bizneset në Shqipëri dhe ekonomia shqiptare nuk janë prekur. Sigurisht që ndjehen efektet, por ekonomia jonë i ka rezistuar krizës, në sajë të përqendrimit te prodhimi vendas, theksoi Bumçi. Ndër të tjera, Bumçi garantoi gjithashtu se vitin e ardhshëm qeveria do të marr përsipër shpenzimet e shkollës për të gjithë ata që mbarojnë klasën e 9-të dhe nuk kanë mundësi për të vazhduar arsimin e mesëm. Në takimin me fasonistët ishte dhe Florjon Mima, kandidati tjetër i PD-së për Tiranën, i cili deklaroi se biznesit të fasonëve shumë shpejt do ti rimbursohet TVSH-ja dhe do ti krijohen lehtësira të mëtejshme. Ne do të heqim taksën mbi dividentin e aksioneve. Gjithashtu TVSH-ja do të rimbursohet në muajin shtator. Ju keni të punësuar një numër të konsiderueshëm qytetarësh dhe kjo është shumë pozitive. Për të lehtësuar biznesin, ne ulëm sigurimet shoqërore në 15%, nga 32% që ishin në vitin 2005. Ai tha se nga 2005-a janë hequr tarifat doganore për makineritë e manifakturës dhe paga minimale u rrit nga 11 mijë lekë që ishte në 2005-ën në 18 mijë lekë në 2009, nënvizoi Mima. Ndërsa kandidatja për deputete, Jorida Tabaku në takimin me punonjëset u shpreh se qeveria ka marrë masa që gratë të jenë pararendëse të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.