Të përndjekurit politikë kundër PD, nuk i pranoi si kandidatë për deputetë

Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, Besim Ndregjoni shprehet për gazetën SOT, se forcat politike tek të cilat e gjen veten kjo shtresë shoqërore është Partia Lëvizja e Legalitetit dhe ajo e Ballit Kombëtar. Sipas Ndregjonit, programi i këtyre dy partive zë një hapësirë të gjerë për zgjidhjen e problemit të ish të përndjekurve politikë. Ndregjoni theksoi se disa prej emrave të kandidatëve në listën e këtyre dy partive janë përfaqësues të kësaj shtrese shoqërore. Ndër të tjera ai theksoi se kjo shtresë nuk kërkon që të dalë nga tradita por kërkon që ta ruajë dhe ta vazhdojë edhe më tepër këtë traditë duke u mbështetur tek këto dy forca politike.
Lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve elektorale të 28 qershorit, Ndregjonaj tha se para publikimit të listës së kandidatëve nga Partia Demokratike, sindikata e ish të përndjekurve politikë i kishte propozuar disa emra kësaj partie për të qenë dhe këta përfaqësues në listën e kandidatëve për këto zgjedhje, por nuk pati asnjë lloj reagimi nga PD dhe lideri i saj. Gjithashtu Ndregjoni theksoi se kjo shtresë shoqërore është shtresa që ka vuajtur shumë, dhe lirinë e kanë gjetur me ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet në vitin 92, por theksoi se nuk ka qenë gjithmonë dakord me vendimet e marra nga qeveria për kompensimin e kësaj shtrese dhe për njohjen e plotë të të drejtave të tyre. Lidhur me fjalën që pati deklaruar lideri i Partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar Dashamir Shehi, se emërimet në krye të sindikatave të ish të përndjekurve politikë dhe të ish pronarëve janë të gjitha emërime politike dhe kjo është bërë për arsye korruptive dhe është në kurriz të shtresë tjetër, Ndregjoni e kundërshtoi duke deklaruar se nuk është e vërtet, që ai ka ardhur në krye të sindikatës nga kjo forcë politike për të ruajtur interesat e saj, por ka ardhur për të ruajtur dhe kërkuar të gjitha të drejtat që ju takojnë ish të përndjekurve politikë, dhe se bindjet e tija personale dhe të anëtarëve të kësaj sindikate nuk janë aspak korruptive, sepse ata kërkojnë njohjen me çdo kusht të të drejtave që ju takojnë. Sipas Ndregjonit, një pjesë e madhe e kësaj shtrese ka vuajtur në mënyrë të tmerrshme gjatë 50 viteve të diktaturës komuniste, dhe se sot ata duhen mbështetur dhe jo sulmuar. Unë kam qenë në oponencë, herë pas here me partinë në pushtet, sepse disa prej pikave të saj të qeverisjes kanë qenë në kundërshti me ato pika që ne kërkojmë që të respektohen, tha Ndregjoni. Ndër të tjera ai shtoi se nuk kanë gjetur asnjë lloj mbështetjeje dhe asnjë lloj përkrahjeje nga Partia Socialiste, dhe se shtresa e ish të përndjekurve politikë do të mbështesë gjithmonë të djathtën shqiptare dhe nuk do të bënin kurrsesi asnjë lloj aleance apo koalicioni me partitë e majta. Por në kundërshtim nga Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, Besim Ndregjoni, kryetari i ish të përndjekurve politikë të qarkut të Elbasanit, Luftim Musai tha se kjo shtresë politike ka gjetur gjithmonë mbështetje nga Partia Demokratike dhe lideri i saj Berisha dhe se në vazhdim kjo shtresë shoqërore do ta mbështeste këtë parti. Kreu i ish të përndjekurve politikë të Elbasanit, Musai ju bëri thirrje të gjithë bashkëvuajtësve që i përkasin kësaj shtrese që të vazhdojnë të mbështesin Partinë Demokratike, dhe se të gjitha grupimet e tjera që kanë dalë kundër kësaj partie nuk kërkojnë që të përkrahin këtë shtresë por duan që të marrin votat e saj dhe të marrin disa vende në parlament të cilat më vonë do ti shfrytëzojnë për interesat e tyre personale. Sipas Musait, Partia Demokratike i solli lirinë e munguar për një kohë të gjatë kësaj shtrese dhe kjo shtresë nuk ka për ta tradhtuar kurrë këtë parti. Lidhur me këtë prononcim Ndregjoni tha se ne e mbështesim të djathtën shqiptare, dhe PD-në, por do ta kundërshtojmë fort këtë forcë politike në qoftë se nuk do të gjejmë mbështetje nga kjo parti, apo në qoftë se nuk do të punojnë për të na njohur të drejtat neve si shtresa më e vuajtur politike.