E Shtunë, 31 Tetor 2026

Janjiç: Beogradi, pa strategji për Kosovën

Deklarata e fundit e Presidentit
të Serbisë, Boris
Tadiç, lidhur me një ndarje
eventuale të Kosovës, nëse të
gjitha alternativat e tjera, të ndërmarra
nga Serbia nuk japin rezultat,
ka trazuar opinionin publik
serb. Tadiçi i deklaroi dje radios
serbe "B92" se, në fakt, ai nuk kishte
propozuar ndarjen e Kosovës,
por kishte dashur të thoshte se një
opsion i tillë duhej të kihej parasysh,
nëse të gjitha mundësitë e tjera
do të dështonin.
"Në asnjë moment, nuk kam
propozuar dhe nuk dua të parashtroj
zgjidhje të tjera dhe, kështu,
as ndarjen e Kosovës. Kjo është një
çështje për t‘u diskutuar nga intelektualët
në Serbi e nga opinioni
publik ndërkombëtar dhe ajo
(ndarja) është një nga opsionet që,
gjatë të gjithë këtyre viteve, është
parashtruar, kur është folur për
statusin e ardhshëm të Kosovës. E
kam thënë dhe po e përsëris se, kur
përmend një ndarje eventuale të
Kosovës, këtë e bëj vetëm, nëse të
gjitha rastet e zgjidhjeve të tjera
dështojnë. Është mjaft hipotetike
ta them sot nëse unë e mbështes
një zgjidhje të tillë", tha ai. Në
përgjigje të deklaratës së kryetarit
të shtetit serb, zëdhënësi i UNMIK-
ut, Aleksandër Ivanko, deklaroi
se misioni i OKB-së është
kundër ndarjes së Kosovës dhe deklaratat
e Tadiçit nuk do të
ndikojnë në dialogun e UNMIK-ut
me autoritetet e Serbisë. Po ashtu,
edhe ambasadori amerikan në
Beograd, Kameron Manter, deklaroi
se SHBA-ja është kundër
ndarjes së Kosovës, duke shtuar se
Uashingtoni është në favor të dialogut
mes Beogradit dhe Prishtinës.
Kurse koordinatori i Forumit
për Marrëdhëniet Ndëretnike të
Beogradit, Dushan Janjiç, vuri në
dukje se deklaratat e Boris Tadiçit
tregojnë se Beogradi nuk ka
strategji për Kosovën. "Duke deklaruar
se ekziston mundësia e
ndarjes së Kosovës, nëse shterojnë
të gjitha opsionet e tjera, Presidenti
serb, në thelb, përçon mesazhin
si ai është i pafuqishëm që ta administrojë
çështjen e Kosovës",
theksoi Janjiç, duke shtuar se
ndarja eventuale e Kosovës do të
kërcënonte të gjithë rajonin dhe do
të provokonte ndryshime ose shkëmbime
territoresh dhe shpërngulje
të serbëve që kanë mbetur
në Kosovë.
Gazeta e përditshme e Prishtinës
"Koha Ditore", nga ana e saj,
shkruante, në një nga numrat e saj
të fundit, se bashkësia ndërkombëtare
dhe autoritetet kosovare
duhet t‘i marrin seriozisht deklaratat
e Tadiçit se ndarja eventuale
e Kosovës vazhdon të mbetet
edhe më tej një nga opsionet. Sipas
kësaj gazete, në rast të një
ndarjeje eventuale të Kosovës,
humbësit më të mëdhenj do të
jenë serbët e Kosovës, sepse shqiptarët,
në këtë rast, nuk do të
kishin asnjë shkak dhe arsye që të
zbatonin planin e Marti Ahtisarit
dhe decentralizimin në vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›