E Diel, 1 Nëntor 2026

Janullatos e Mirdita urojnë: Krishtlindje të bekuara! 2012 i mbushur me durim!

TIRANË- Kryepeshkopi Janullatos ka uror sot besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri! Kapërcimi i së pamundurës nga ana njerëzore është mesazhi që ai dha për besimtarët, ndërsa uroi që Viti Ri 2012 të jetë një vit i mbushur me durim e paqe.

“Perëndia u shfaq në mish. Kapërcimi i të pamundurës nga ana njerëzore është mesazhi qendror i Krishtlindjeve dhe thirremi ta gëzojmë brenda realitetit të ashpër këtë përvjetor. Ne që vështrojmë me besim, birin dhe fjalën e Perëndisë të bërë njeri, e kemi se ai qëndron me ne dhe se shumë gjëra të pamundura nga ana njerëzore me fuqinë e Perëndisë bëhen të mundura. Vëllezër dhe motra të dashur, uroj që kjo binde të fuqizohet brenda nesh gjatë kësaj periudhe festive, të na ngushëllojë e të na mbështesë në vitin që po vjen! Krishtlindje të bekuara! Viti i Ri qoftë i mbushur plot me durim dhe paqe!”, tha kryepeshkopi në mesazhin e tij të urimit.

Mesazh urimi për festën e Krishtlindjes është përcjellë sot edhe nga Imzot Rrok Mirdita, i cili kërkoi nga njerëzit të kenë besim në Zot në një kohë që shoqëria shfaqet e kërcënuar nga kriza ekonomike.

“Sot shoqëria shfaqet e kërcënuar në një farë mënyre nga varfëria, nga mungesa e një projekti të besueshëm, të pranuar njëzëri për një të ardhme të qëndrueshme nga pasiguria e një mirëqenie të arritshme për të gjithë. Të kremtosh Krishtlindjet do të thotë ta përjetosh urën tënde historike si urën e takimit me Krishtin një takim që i sjell jetës dritë, gëzim dhe shpresë. Qofshin këto Krishtlindje një mundësi e gëzueshme për të gjithë njerëzit për të takuar Zotin e tyre të vërtetë, e për të përjetuar gëzimin e pafund që sjell ky takim! Uroj nga Zemra Krishtlindje të gëzuara e një vit të Ri plot me bekime!”, tha në mesazhin e tij të urimit Imzot Rrok Mirdita.

(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›