E Shtunë, 31 Tetor 2026

Januzi, zyrtarisht në Kombëtare

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, të shtunën e ka publikuar listën e futbollistëve të ftuar për dy miqësoret e radhës ndaj përfaqësueses së Malit të Zi në Podgoricë, që zhvillohet më 25 maj, dhe me atë të Andorrës, më 2 qershor.

Në listën prej 26 futbollistëve të ftuar nga trajneri kroat, të cilën e bëri publike në një konferencë për shtyp të mbajtur në Tiranë, vërehen pesë futbollistë të rinj, të cilëve Kuze ka vendosur t’ua japë rastin për ta demonstruar nëse e meritojnë të jenë pjesë e ekipit kuqezi: sulmuesi kosovar Ahmed Januzi nga Vorskla Poltava, që e çon numrin e kosovarëve të ftuar për këto ndeshje në 5 (mungon Arian Beqaj për shkak të problemeve me veshkë), Bekim Bala i Vllaznisë, Parid Xhihani i Zorja Lugansk, Ditmar Bicaj i Tiranës dhe Emiljano Veliaj i Laçit.

“Jam në kërkim për të gjetur lojtarë të rinj për kualifikueset e Kampionatit Europian (2012). Qëllimi im në këto dy miqësore është më shumë stërvitja në grup e lojtarëve. Kam marrë informacione se si Januzi ashtu dhe Xhihani po luajnë mirë me ekipet e tyre në Ukrainë. Thirrja e tyre është një mundësi për t’i parë nga afër”, ka thënë Kuze.

Ai është shprehur se dy miqësoret e ardhshme kundër Malit te Zi dhe Andorrës janë shumë të rëndësishme përpara nisjes së eliminatoreve të Euro 2012. Sipas tij, këto dy sfida janë një test i vërtetë, pasi edhe kundërshtarët janë në të njëjtin nivel me dy prej skuadrave rivale në grupin eliminator.

“Këto dy ndeshje janë një test i vërtetë. Ndeshjen e parë eliminatore do ta luajmë kundër Rumanisë si mysafirë dhe Mali i Zi ka të njëjtën mënyrë loje si Rumania. Po ashtu, edhe Andorra i afrohet lojës së Luksemburgut. Për këtë arsye them se këto dy miqësore janë një test i vërtetë dhe nuk do të eksperimentohet”, u shpreh Kuze.

Futbollistët kuqezi arrijnë në këtë moment pasi kanë luajtur pak ose fare me skuadrat e tyre, por Kuze ka bërë të ditur se është i kushtëzuar në zgjedhjet e tij, pasi edhe kontingjenti i lojtarëve është i kufizuar.

“Ne nuk kemi shumë lojtarë në dispozicion. Nuk mund të thuash se Bogdani apo Salihi, meqenëse nuk luajnë në skuadrat e tyre, nuk mund të grumbullohen në Kombëtare. Kjo është skuadra ime dhe lojtarët e grumbulluar janë shumë të rëndësishëm për Kombëtaren”, vijoi Kuze.

Lista e të ftuarve

Portierë
Isli Hidi
Samir Ujkani
Portieri i tretë (dihet të hënën)

Mbrojtës
Andi Lila
Armend Dallku
Kristi Vangjeli
Ansi Agolli
Lorik Cana
Ditmar Bicaj
Endrit Vrapi
Debatik Curri

Mesfushorë
Ervin Bulku
Klodian Duro
Ervin Skela
Jahmir Hyka
Gilman Lika
Emilian Vila
Emiljano Veliaj
Gjergj Muzaka

Sulmues
Erjon Bogdani
Hamdi Salihi
Edmond Kapllani
Elis Bakaj
Bekim Bala
Ahmed Jonuzi
Parid Xhihani

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›