E Shtunë, 31 Tetor 2026

Curri në Gençlerbirligi

Debatik Curri ka nënshkruar kontratë trevjeçare me klubin turk Gençlerbirligi. Futbollisti kosovar nuk e kishte pranuar vazhdimin e kontratës me klubin e deritashëm Vorskla Poltava, e cila i skadonte në janar, kështu që ai vendosi që ta ndërrojë mjedisin, duke e vazhduar karrierën në futbollin turk.

Këtë e ka bërë të ditur të shtunën vetë mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare, që dukej i kënaqur me vendimin e marrë. “Kam nënshkruar me Gençlerbirligin për tri vjet. Kushtet që m’i ofroi ky klub më bindën. Konsiderova se kishte ardhur koha që ta ndërroja ekipin dhe doja që të luaja në një ekip evropian më të afërt. Natyrisht, vendosi edhe niveli i futbollit turk, që është i lartë”, tha Curri për Express.

Mbrojtësi shqiptar kishte kontratë me Vorsklan edhe gjashtë muaj, por ai tregoi se palët janë marrë vesh dhe se Curri do t’i bashkohet Gençlerbirligit, ku luan edhe kosovari tjetër Labinot Harbuzi gjatë sezonit të ardhshëm. Edhe klubi turk, në ueb faqen e vet zyrtare, ka shkruar për Currin, por pa e zyrtarizuar nënshkrimin e kontratës.

“Në kuadër të përgatitjeve për edicionin e ri, klubi ynë ka filluar me transferime dhe në kuadër të kësaj ka ftuar futbollistin shqiptar Debatik Curri në Ankara për të negociuar. Futbollisti i Vorskla Poltavas nga elita e futbollit e Ukrainës është i gjatë 189 cm dhe në 94 paraqitje ka realizuar 19 gola. Ai fanellën e Kombëtares shqiptare e ka veshur 29 herë. Nëse arrijmë marrëveshje me Currin, atëherë me të do të nënshkruajmë para-kontratë”, shkruante të shtunën në ueb faqen e Gençlerbirligit. Kështu, ish futbollisti i Prishtinës i dha fund eksperiencës së tij në Ukrainë pas gati pesë vjetësh.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›