Japoni, “Ikebena”, arti i ripëritjes së shëndetit mendor
JAPONI- Minoru Kagata, një 62 vjeçar i cili punon si mirëmbajtës në një kompleks sportiv në Tokio, ndjehet i lodhur nga puna. Kjo është ajo që e shtyn të bëjë një udhëtim 30 minutësh me tren pas pune tre herë në muaj për të ndjekur mësimet në një klasë që kujdeset për ripërtëritjen e shëndetit mendor. Kjo ripërtëritje vjen nga lulet ose arti tradicional japonez i rregullimit të luleve, njohur ndryshe si "ikebana". Pas punës Kagata ndalon tek një luleshitës i zonës për të blerë lulet e stinës që përdoren më pas në mësim. Kagata, i cili është i martuar por nuk ka fëmijë, nisi të merrte mësime për rregullimin e luleve 19 vjet më parë. "Kur isha 42 vjeç u lëndova në kurriz duke rrëshkitur me ski e mu desh të qëndroja në shtrat një javë të tërë. Më pas vendosa të merresha me diçka krijuese në vend të sportit ndaj zgjodha rregullimin e luleve" tha Kagata. Tradita japoneze e rregullimit të luleve, përgjithësisht e ndjekur nga gratë, po rikthehet në origjinën e saj mashkullore, falë një sërë arsyeve moderne: ajo është shndërruar në një mënyrë për të larguar stresin e punës. Në shkollën e ikebana ‘Sogetsu’ në Tokio, një numër gjithnjë e më i madh shitësisht japonezë të stresuar nga puna po i kthejnë sytë nga arti tradicional i rregullimit të luleve si një mënyrë për tu shplodhur me lulet, kërcenjtë, sythet e vazot e përzgjedhura prej tyre. Ikebana lindi rreth 500 vjet më parë, duke lulëzuar fillimisht mes artizanëve meshkuj e aristokracisë. Më pas, rregullimi i luleve kaloi tek shtresa e mesme e shoqërisë duke u bërë pjesë e edukimit të brezave të rinj, duke shtuar edhe lule e bimë perëndimore në këtë proces. Kompozimet e luleve të cilat kryhen në respekt të parimeve të ikebana thuhet se përfaqësojnë ekuilibrin simetrik të Parajsës, Njerëzimit e Tokës. "Rregullimi i luleve i shton një element të këndshëm jetës sime si dhe më çliron mendjen. Në të njëjtën kohë ky lloj artizanati shërben edhe si një urë që më lidh me botën e vërtetë" tha mësuesi i gjuhës Koji Otsubo, student i ‘ikebana’ prej mëse 15 vjetësh. Nivelet e aftësive të studentëve janë të ndryshëm por shplodhja që të mundëson kjo gjë është universale, tha 45 vjeçari Koji Takahashi. "Sa herë nis mësimi ndjehem i lodhur nga puna por sapo përqëndrohem tek kombinimi i luleve me vazo ndjehem i ripërtërirë e i qetë me veten" tha Takahashi. Themeluar në vitin 1927 shkolla pararojë ‘Sogetsu’ përqëndrohet tek "kakei" ose modelet, duke ofruar kurse që variojnë nga ato për fillestarë e deri tek ato për ekspertë. Krye-instruktori Gaho Isono tha se burrat po i kthejnë gjithnjë e më shumë sytë tek kjo traditë. "Mendoj se në ditët e sotme një numër i madh njerëzish po kërkojnë mënyra për të larguar stresin. Meqenëse njerëzit i zgjedhin vetë pasionet e tyre ata nuk druhen më nga ideja që meshkujt të merren me rregullime lulesh. Kjo gjë çon në shtimin e numrit të meshkujve që ushtrojnë këtë praktikë të hershme" tha Isono. Aktualisht në Japoni ekzistojnë 3,000 shkolla ‘ikebana’ në të cilat marrim mësime rreth 15 milion adhurues të luleve.(s.t/BalkanWeb)