E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati i Popullit, hetim katër prokurorëve ushtarak



Akuzat, harruan 3 muaj në burg një person

Kastriot Prendi, u kap për dezertim nga ushtria

Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, i ka kërkuar dje organit qendror të akuzës të nisë hetimet për prokurorët që lanë në qeli padrejtësisht një qytetar. Bëhet fjalë për katër prokuror të çështjeve ushtarake, të cilët akuzohen nga Avokati i Popullit se kanë vendosur lënien në qeli për tre muaj pa asnjë masë sigurie të Kastriot Prendit, një i ri nga Puka i cili ka përfunduar pas hekurave pas kthimit të tij nga Greqia me akuzën e dezertimit nga ushtria. Ndërkohë, sipas pretendimeve nga institucioni i Avokatit të Popullit, prokurorët akuzohen për shpërdorim detyre pasi kanë mbajtur Prendin në burg pa vendim gjykate. Gjithashtu, sipas Dobjanit inspektimet e bëra nga ky institucion kanë zbuluar faktin se shtetasi Kastriot Prendi është mbajtur në burg në mënyrë jo të ligjshme.

Lidhur me këtë, burimet pranë kësaj prokurorie bëjnë me dije se nën hetim do të jenë katër prokurorë, të cilët trajtojnë çështjet ushtarake. Rasti në fjalë është bërë publik pas kallëzimit që i dënuari bëri në prokurori kundrejt drejtoreshës së burgut dhe prokurorit që trajtonte çështjen e tij. Prendi, që ishte dënuar për dezertim nga ushtria, ka kallëzuar në prokurori disa ditë më parë drejtoreshën e burgut 325, ku ndodhet i izoluar, si dhe një prokuror të prokurorisë së Tiranës. Kastriot Prendi nga Puka mendohet se prej afro tre muajsh mbahet pa asnjë masë sigurie në qeli. Sipas pretendimit të këtij të fundit, drejtoresha Marinela Sota dhe prokurori për ekzekutimin e vendimeve penale Petrit Fusha, e kanë lënë në burg, edhe pse nuk ka masë sigurie dhe as vendim të formës së prerë. Prendi është dënuar me 6 muaj burg për dezertim nga ushtria. Ai është kapur në Greqi ku ishte pa dokumente dhe është rikthyer në vendin tonë, ku ka bërë një kërkesë për rivendosjen në afat të çështjes, kërkesë e cila është pranuar nga gjykata dhe masa e dënimit nuk është dhënë. Në kallëzimin e depozituar në Prokurorinë e Tiranë dhe në zyrën e kryeprokurores Ina Rama, Kastriot Prendi kërkon lirimin e menjëhershëm, pasi mbahet padrejtësisht në qeli. Po kështu, vetëm pak ditë më parë Ministria e Drejtësisë kallëzoi dy prokurorë të Shkodrës të cilët kishin lënë për 75 ditë në qeli një të dënuar. Po kështu, mos të harrojmë edhe raste të tjera të natyrave të ndryshme, por që dëmtojnë rëndë imazhin e drejtësisë shqiptare. Për të folur më pas për këtë imazh që rreth një muaj më parë Presidenti i Republikës në një konferencë, ku merrnin pjesë të gjithë prokurorët e vendit, iu bëri thirrje këtyre të fundit që të ndërgjegjësoheshin duke mos lejuar gjëra të tilla. Por pas një muaji ne shohim të njëjtin rezultat, me persona të harruar në qeli apo më keq akoma.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›