E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, kopshti në lulishte për 130 fëmijë

Shkak është bërë vendimi i Drejtorisë së Shëndetit Publik, për të mos hapur dyert e kopshtit numër 10, pasi godina është në rrezik shembje dhe nuk plotëson asnjë kusht higjieno-sanitar. Peleshi: Kopshti është transferuar në një tjetër godinë, vetëm pak metra larg asaj ekzistuese

Lulishtja e qytetit të Korçës është shndërruar për herë të parë në kopësht për 130 fëmijë. Shkak është bërë vendimi i Drejtorisë së Shëndetit Publik, për të mos hapur dyert e kopshtit numër 10, pasi, sipas specialistëve, godina është në rrezik shembje dhe nuk plotëson asnjë kusht higjieno-sanitar. Në këtë situatë, drejtuesit e institucionit parashkollor kanë vendosur të mbajnë 130 vogëlushë në lulishte, derisa të gjendet një zgjidhje tjetër. Moshapja e kopshtit ka irrituar prindërit e fëmijëve, të cilët i kërkojnë bashkisë të ndërhyjë me urgjence dhe të ofrojë kushtet e duhura. Ndërkohë, kreu i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, premtoi se vogëlushët do të sistemohen në një godinë tjetër të përshtatshme, që është vetëm pak metra larg asaj ekzistueses. Por, kryebashkiaku nuk dha asnjë shpjegim se pse nuk janë marrë paraprakisht masat që godina të ishte gati në fillim të shtatorit.

Situata

Mbeten në udhëkryq fëmijët e kopshtit numër 10 në Korçë. Ditën e parë të sezonit të ri në sistemin parashkollor, 130 vogëlushë të këtij qyteti e kaluan jashtë ambienteve të tyre. Për fat të mirë, kushtet atmosferike të motit kanë qenë të favorshme që fëmijët e njërit prej kopshteve më të njohura të qytetit juglindor të qëndronin në ajrin e pastër, duke mos pasur mundësi të hyjnë brenda. Kjo, pasi kushtet në këtë kopësht kanë qenë të rënda, për shkak të godinës së amortizuar që mund të rrezikojë deri dhe jetën e tyre. Në fakt, prindërit e fëmijëve të kopshtit numër 10, që gjendet në qendër të qytetit të Korçës, i kanë dërguar fëmijët e tyre në ditën e parë të kopshtit që në orën 7.30 të mëngjesit, pa e ditur se ai do të mbyllej. Por, një kontroll i beftë i inspektorëve të Drejtorisë së Shëndetit Publik në këtë qytet, i ushtruar në ambientet e brendshme kanë urdhëruar mbylljen e menjëhershme të këtij kopshti, për të parandaluar deri dhe një tragjedi të mundshme. Në këto kushte, edukatoret e fëmijëve i kanë mbajtur ata jashtë godinës në natyrë, për të pritur deri në momentin e kthimit të prindërve për të marrë vogëlushët e tyre. Ndërtesa më shumë se 50-vjeçare ka rrezik shembje dhe në këto kushte është urdhëruar mbyllja urgjente e kopshtit që mund të shkakonte tragjedi të vërtetë. Ndërkaq, edhe drejtuesit e kopshtit në fjalë nuk kanë ditur si të veprojnë, pasi nuk kanë pasur udhëzime, teksa kanë njoftuar dhe Bashkinë e Korçës për mbylljen e këtij institucioni arsimor. Ka qenë drejtoresha e kopshtit, Liljana Hysolli, e cila pas njoftimit të bashkisë ka informuar për gjendjen edhe në Drejtorinë Arsimore, ndërsa ka vendosur t’i mbajë fëmijët jashtë, në oborrin e ndërtesës 50-vjeçare, përgjatë gjithë ditës së hënë. Kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, pas informimit për situatën ka gjetur një zgjidhje urgjente, ndërkohë që godina në fjalë do t’i nënshtrohet një rikonstrukisoni. Peleshi ka bërë të ditur për gazetën se pas marrjes së infomacionit nga Drejtoria e Shëndetit Publik është gjetur zgjidhja. Kopshti është transferuar në një tjetër godinë tjetër, vetëm pak metra larg asaj ekzistuese, ndërsa nga dita e martë 130 fëmijët që mësojnë në të do të shkojnë tek kjo ndërtesë. Ndërkaq, po në mënyrë urgjente, sipas Peleshit, do të ndërhyet në këtë ndërtesë për ta riparuar dhe për ta kthyer në eficencë të plotë në shërbim të fëmijëve.

Irena Vreto

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›