E Diel, 1 Nëntor 2026

Jashte rrezikut nuk prekemi nga reja radioaktive

Shqipëria nuk rrezikohet nga asnjë re radioaktviteti që mund të vijë nga Japonia. Kështu shprehen drejtuesit e Qendrës së Fizikës Bërthamore në vendin tonë, të cilët kanë reaguar pas një e-maili që po qarkullon në postat elektronike, në të cilin thuhet se në ditët në vijim e gjithë Evropa do të përfshihet nga një re radioaktiviteti. 

“Faktikisht nuk ka asnjë rrezik për Shqipërinë dhe lajmi duket pak bombastik, i sajuar sepse nuk ekziston një re e tillë. Lëshimet që u kryen nga shpërthimi i centralit të Fukushimës në Japoni, pra, shpërthimet në ajër ishin të rrezikshme, por për Japoninë dhe zonat përreth”- tha Niko Civici, drejtor i Qendrës së Fizikës Bërthamore.

Madje specialistët thonë se edhe nëse do të ketë një shtim të radioaktivitetit në ajër, që mund të vijë si pasojë e shpërthimeve në Japoni, për vendin tonë ato janë të parrezikshme.

“Janë vërejtur në stacionë të ndryshme, prezencë e jodit radioaktiv në SHBA, kanada apo në Rusi, por gjithmonë bëhet fjalë për sasi të vogla. Aq më tepër në Evropë, hollimi është më i madh, ndaj është e parëndësishme për popullsinë dhe ambientin në përgjithësi”- tha Civici.
 
Edhe specialistët në vendin tonë kanë bërë matjet e duhuara në ajër, ndërkohë që kjo deklaratë e specialistëve bazohet edhe në të dhënat që raporton Agjensia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike.

Edlira Sulejmani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›