PS: Olldashi donte të fshihte shembjen e tunelit
TIRANË- Partia Socialiste ka akuzuar ministrin e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, për çështjen e shëmbjes së tunelit të Kalimashit për faktin se në vend që të tregohej transparent me qytetarët është përpjekur ta fshehë atë. Me anë të zëdhenëses së saj, Armela Imeraj, selia rozë ka kërkuar publikisht nga Ministri Olldashi që të shpjegojë se çfarë po ndodh vërtet me tunelin e Klimashit, si shpjegohet që një vepër që ka kushtuar qindra miliona euro të shembet vetëm disa muaj pas inaugurimit, sa do të kushtojë totalisht ai dhe kush do të mbajë përgjegjësi për situatën e krijuar. Gjatë fjalës së saj Imeraj theksoi se kompania që po ndërton tunelin ka pasur të njëjtat probleme edhe në një vepër të ngjashme në Boston të SHBA-ve. "Partia Socialiste denoncon faktin që ministri Olldashi dhe kompania që po kryen punimet, jo vetëm që nuk kanë marrë mundimin të informojnë publikun për atë që ka ndodhur, por janë përpjekur me të gjitha mënyrat ta fshehin këtë ngjarje të rëndë. Dhe shqetësimi ynë bëhet më serioz nëse kujtojmë se po e njëjta kompani, që tash e katër vjet po bën një hap para e dy hapa prapa në ndërtimin e kësaj rruge, ka qenë e përfshirë në ndërtimin e tunelit të Bostonit, i cili ka pasur ekzaktësisht po të njëjtat probleme sigurie", - tha ajo.