E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jashtë tenderave ndërtuesit që nuk kryejnë 70% të punimeve

09/10/2009  Botohet në Fletoren Zyrtare pas katër muajsh vendimi i qeverisë

Kompanitë e ndërtimit që nuk realizojnë afatet e punimeve nuk do të marrin pjesë në tenderë publikë. Vendimi i miratuar nga qeveria ka marrë formë të plotë ligjore pas botimit në Fletoren Zyrtare. Kështu, që prej datës 6 tetor kompanitë e ndërtimit që nuk kanë përfunduar deri në 70 për qind të punimeve për realizimin e investimit që kanë marrë përsipër nuk do të kenë të drejtë të hyjnë në tenderë. Më konkretisht bëhet fjalë për vendimin për miratimin e rregullave për prokurimin publik, duke i dhënë të drejtë Agjencisë së Prokurimeve Publike të përjashtojë nga tenderi atë apo ato kompani që e kanë fituar një të tillë dhe nuk kanë përmbushur pjesën më madhe të veprës në ndërtim.

Ndryshimet

Sipas vendimit që ka hyrë në fuqi, Drejtoria e përgjithshme e Rrugëve ndalohet të kualifikojë për punë publike, të prokuruara sipas ligjit të prokurimit publik, operatorët ekonomikë që janë fitues dhe/apo kanë në proces në të njëjtën kohë si kontraktorë/nënkontraktorë në investim/investime sipas një kontratë apo kontratave të lidhura a në proces për tu lidhur, sipas ligjit për prokurimin publik, i cili në çastin e hapjes së ofertave nuk i ka përfunduar punimet fizike në masën, 70 për qind të vëllimeve të përgjithshme të punës që ai ka marrë përsipër të realizojë në përputhje me kontratën e bashkëpunimit. Përcaktimi i mësipërm vlen edhe për rastin e bashkimit të operatorëve, ku secili prej tyre, për tu kualifikuar për punë publike, duhet të ketë përfunduar punët fizike në masën 70 për qind të vëllimeve të përgjithshme të punës që ai ka marrë përsipër të realizojë në përputhje me kontratën. Gjithashtu, kompanitë e ndërtimit kanë të drejtë të marrin pjesë apo të shpallen fituese në prokurime publike, në të njëjtin autoritet kontraktor, brenda së njëjtës periudhë, kur projekti arrin deri në 70 për qind të vlerës së kategorisë së licencës të përcaktuar. Në rastet kur kompanitë e shkelin këtë vendim, duke marrë pjesë në gara që tejkalojnë 70 për qind të vlerës, atëherë kontrata do tu shpallet e pavlefshme, si dhe do të përgatiten procedurat për heqjen e licencës. DPRR-ja ndalohet të kualifikojë për punë publike të prokuruara sipas ligjit për prokurimin publik ata kandidatë të cilët në çastin e hapjes së ofertave brenda së njëjtës periudhë janë kontraktorë ose nënkontraktorë me këtë autoritet për kontrata të lidhura me vlerë të përbashkët ose të veçantë, jo më të madhe se 100 për qind i kufirit maksimal të që disponon kandidati sipas licencës profesionale të lëshuar nga Ministria Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit.

Procedura e re

Qeveria ka miratuar në fund të muajit korrik vendimin për të ndryshuar procedurat e prokurimeve publike. Ky vendim synon përmirësimin e sistemit elektronik për aplikimet për tenderime. Ky vendim është kundërshtuar në atë moment nga ana e kompanive të ndryshme ndërtuese me argumentin se ato kanë si qëllim kufizimin e garës për tenderat publike me qëllim favorizimin e kompanive pranë qeverisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›