Java 4. Dinamo fluturon, Tiranë në krizë totale

Dinamo nuk ndalet. Katër ndeshje, katër fitore; 12 pikë, 10 gola të shënuar, asnjë i pësuar; rekord i Kotorit me 360 minuta pa pësuar gol, rikthimi te goli i Plakut, që nuk kishte shënuar qysh nga java e parë. "Blutë" e Agim Canaj fituan në transfertë me Teutën, që e mbylli ndeshjen me nëntë lojtarë (Buna dhe Hodaj). Golin e vetëm të takimit e realizoi Sebino Plakut në minutën e 45-të). Dinamo për momentin kryeson e vetme me 12 pikë, e ndjekur nga Besa (11) dhe Partizani (9), por me një ndeshje më pak.
Besëlidhja, që në tri ndeshjet e parë nuk kishte fituar asnjë takim, e shfrytëzoi maksimalisht krizën totale të kampioneve duke fituar në "Qemal Stafa" me rezultatin e ngushtë 1-0 (gol i Likës në minutën e 68-të). Për Tiranën, që largoi para pak ditësh trajnerin e njohur Starova, kjo është humbja e tretë në katër takime duke e thelluar e komplikuar më shumë situatën te rekordemenët shqiptarë. Donatorët duket se tashmë do të marrin masa ndaj lojtarëve.
Vllaznia bëri detyrën në shtëpi duke mundur Shkuminin 3-1 e regjistruar fitoren e parë sezonale, por dhe duke shënuar golat e parë në katër javët e para. Nora realizoi në pjesën e parë në të 38' (asist i Sinanit) dhe Lici finalizoi në penallti (59'), pasi Sinani u frenua në zonë. Për ta vështirësuar edhe më shumë situatën për peqinasit, në ndihmë të shkodranëve vjen edhe autogoli i Ndonit (84'). Stojku, një minutë më pas (85') shënoi golin e flamurit për Shkumbinin.
Të premten Elbasani fitoi në Vlorë 1-0 me Flamurtarin (gol i Fjodor Xhafës), ndërsa takimi Skënderbeu-Besa u mbyll në barazim 1-1, por që prodhoi tensione të mëdha dhe revolta të dhunshme për shkak të arbitrimit të dyshimtë të gjyqtarit Pajtim Lapi. Të dielën luhet edhe takimi i fundit i javës së 4-rt, Kastrioti-Partizani.
REZULTATET E JAVES IV
E premte, 21 shtator
FLAMURTARI-ELBASANI 0-1
SKËNDERBEU-BESA 1-1
E shtunë, 22 shtator
TEUTA-DINAMO 0-1
VLLAZNIA-SHKUMBINI 3-1
TIRANA-BESLIDHJA 0-1
E diel, 23 shtator
KASTRIOTI-PARTIZANI (Peza)