E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdini “skuqet”, protesta në Korçë

Besa doli e pamundur nga transferta me Skënderbeun, duke marrë rezultatin e katërt rresht në katër javët e para, ndërkohë që trajneri i korcarëve, Faruk Sejdini, u ndëshkua me karton të kuq nga gjyqtari Lapi në fund të pjesës së parë. Goleadori Marius Njela shënoi golin për "Ujqërit e dëborës" në minutën e 47-të. Besa këmbënguli dhe në minutën e 68-të realizoi golin e barazimit (1-1) me anë të meksikanit me pasaportë franceze, Elokan. Besa u ngjit në kuotën e 10 pikëve, ndërsa Skënderbeu në atë të 4 pikëve. Pas përfundimit të takimit, tifozët korcarë kryen akte të dhunshme, ku nuk kursyen as policinë duke e qëlluar me gurë.
Futbolli ka sjellë një revoltë të pazakontë para stadiumit "Skënderbeu" të Korcës pas ndeshjes kundër kavajasve të Besës. Gjyqtari kryesor i këtij takimi, Pajtim Lapi, është kthyer në njeriun e padëshiruar të korcarëve, pas gjykimit të takimit Skënderbeu-Besa, i cili ka përfunduar me rezultatin 1-1. Takimi është kontestuar masivisht me një protestë të jashtëzakonshme fill pas takimit, ndërkohë që tmerri ka pushtuar gjyqtarin e takimit bashkë me kolegët e tij, që për arsye sigurie kanë dalë nga Korca të blinduar nga policia e qytetit.
Ngjarja
Shpërthimi i tifozëve ka qenë i pazakontë, ndërsa thirrjet e tyre kundër gjyqtarit fillimisht ndonëse në mënyrë sporadike kanë sjellë dhe disa gurë dhe sende të forta në drejtim të hyrjes kryesore të stadiumin korcar të futbollit. Ngjarja ka ndodhur në orën 18.00, fill pas takimit mes ekipit korcar dhe atij të Besës së Kavajës, i cili është favorizuar nga gjyqtari kryesor i ndeshjes. Tifozët e Korcës për herë të parë ndoshta në historinë e tyre kanë shpërthyer në një revoltë të tillë, ndërkohë që për disa caste ka pasur dhe një përleshje të shkurtër me policinë. Ndërkohë, para stadiumit tifozët kanë thyer disa xhama duke hedhur sende të forta. Policia është përpjekur të mbajë situatën nën kontroll ndërsa mjetet e saj dhe dhjetëra uniforma blu janë përpjekur të mos precipitojë situata në dhunë.
Ndërhyrja
Është dashur vetëm ndërhyrja në kohë e trajnerit të Skënderbeut, Faruk Sejdini, i cili, pas duartrokitjeve që ka marrë në mes të kësaj proteste, u ka kërkuar përkrahësve të skuadrës që ai drejton të shpërndahen. Kaq është dashur që menjëherë, duke mos qenë më e nevojshme ndërhyrja e policisë, tifozët të largohen, ndërsa gjyqtari Pajtim Lapi bashkë me dy kolegët e tij, L. Mustafaraj dhe A. Mani, u larguan pas shoqërimit nga grupet e gatshme të Komisariatit të Korcës nga ky qytet. Revolta paqësore e tifozëve që ka zgjatur përreth 20 minuta lidhej vetëm me një emër, me atë të gjyqtarit të kontestuar si asnjëherë më parë, i cili është larguar nga stadiumi i Korcës i rrethuar nga forca të shumta policie, por duke mos pasur asnjë problem gjithsesi nga ky qytet vec shijes së keqe të një takimi që e ka gjykuar në mënyrën më të keqe të mundshme. Kontestimi popullor i kësaj ndeshjeje duket se nuk do të mbetet me kaq, ndërsa korcarët do t'i drejtohen instancave të futbollit për këtë ndeshje në mënyrë urgjente. Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë lokale mësohet se pavarësisht protestës, nuk ka pasur të ndaluar, por njëherësh kanë munguar dhe shoqërimet në polici. Sipas bluve të Juglindjes, përleshja ka qenë vetëm disa minuta, por gjithcka ka kaluar normalisht dhe pa probleme.

Vlonjati Xhafa ndëshkon qytetin

Drejtuesit e Flamurtarit as që e kishin menduar se ndëshkuesi i tyre në Vlorë do të ishte një vlonjat, Fjodor Xhafa, tashmë në radhët e Elbasanit, i cili me realizimin e golit të vetëm të këtij takimi, do t'i shkaktonte ish-ekipit të tij edhe humbjen e dytë rresht në katër javët e para. Ish-sulmuesi i Tiranës dhe Dinamos shënoi në minutën e 60-të duke i sjellë fitoren e dytë Elbasanit dhe duke qetësuar njëherësh edhe pozitat e lëkundura të trajnerit Krenar Alimehmeti. Kjo është fitorja e dytë rresht e Elbasanit pas asaj me Teutën një javë me parë dhe verdheblutë e Lazes e shohin veten me një pikë më shumë se vlonjatët.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›