Pesë të mëdhenjtë e Champions

Liga e Kampioneve startoi këtë javë me rezultate të pritshme, por edhe disa surpriza, sic ishte barazimi i Celsit me Rozenborgun modest dhe humbjen e Interit në Stamboll me Fenerbahcen. Por, vëmendja e specialistëve të futbollit dhe sidomos e të apasionuarve të golave u drejtua te lojtarë të tillë si Rau Gonzalez, Rud van Nistelroj, Andrij Shevcenko, Tieri Henri dhe Filipo Inzagi, të cilët janë dhe pesë golashënuesit më të mirë të këtij kompeticioni që janë ende aktivë. Të pesë këta shënuan në ndeshjet e para të Ligës së Kampioneve.
1. Raul Gonzales, 57 gola
I mësuar me golin, sulmuesi i Realit të Madridit shënoi golin e parë në fitoren 2-1 kundër Benfikës dhe të 57-in e tij në Ligën e Kampioneve. 30-vjecari realizoi golin e parë të tij në Champions League gati 12 vjet më parë dhe tashmë po bëhet një figurë dominuese në Realin e Bernd Shusterit, pasi po luan në rolin e tij të preferuar si sulmues qendre. Duke luajtur pas Van Nistelroit, ai duket si një sulmues i vjetër dhe partnershipi funksionoi më së miri kur Van Nistelroi i dha asistin e golit të parë kundër gjermanëve. Nuk është vetëm goli që impresionoi trajnerin e tij. "Raul është një luftues, ai kurrë nuk e lëshon veten dhe nuk do të bierë kurrë nga cilësitë e tij", - tha Shusteri pas ndeshjes.
2. Rud van Nistelroi, 50 gola
Van Nistelroi u bë golashënuesi i dytë i vetëm, pas Raulit, që shënon 50 gola në kompeticionin më të rëndësishëm të klubeve. Në bashkëpunim me spanjollin, ai realizoi golin që i dha fitoren Realit të Madridit, kur kishin mbetur edhe 16 minuta lojë. Holandezi e nisi kampionatin me një dëmtim, por regjimi i fortë i mbajtur në "Bernabeu" e ndihmoi atë. "Nuk është vetëm ndryshimi i trajnerit, por pati dhe ndryshime thelbësore në skuadër", - tha 31-vjecari, që shënoi 25 gola gjatë sezonit të kaluar. "Ne kemi shumë lojtarë me mentalitet sulmuesi dhe me një trajner si Shusteri, i cili ka për zemër sulmin, do të jetë shumë mirë për të gjithë ne", - pohoi holandezi, që duhet kujtuar se shënoi edhe kundër Shqipërisë.
3. Andrij Shevcenko, 47 gola
Si për ta bërë edhe më shumë intrigues, Shevcenko shënoi golin e fundit në "epokën Mourinjo" në "Stemford Brixh". Trajneri dhe sulmuesi nuk janë parë shpesh sy më sy, por ishte ukrainasi 30-vjecar që shënoi me kokë pas harkimit të Florent Maludas në minutën e 63-të, duke i dhënë një pikë Celsit në shtëpi kundër Rozenborgut. Sheva u gëzua jashtë mase pasi kishte kaluar një sezon të vështirë dhe me një formë të varfër në Londër. Goli i Shevcenkos ishte i 47-ti në Ligën e Kampioneve dhe i 60-ti në të gjitha kompeticionet europiane, duke e vendosur atë në vend të dytë së bashku me Inzagin, vetëm dy gola më pak se Gerd Myleri, i cili mban edhe rekordin e të gjitha kohërave me 62 gola.
4. Tieri Henri, 43 gola
Francezi Tieri Henri nuk kishte kaluar një kohë të lehtë qysh prej transferimit të tij për shumën e 23.8 milionë eurove nga Arsenali te Barcelona në muajin qershor dhe goli i tij i shënuar në fitoren 3-0 kundër Olimpikut të Lionit e lehtësoi jo pak sulmuesin e njohur. Henri e kishte bërë zakon shënimim e golave spektakolarë me Arsenalin dhe shpresat në kryeqytetin katalanas ishte e madhe, kur ai realizoi transferimin e dëshiruar për një kohë të gjatë. Gjithsesi, 30-vjecari shënoi një gol shumë të lehtë për nga mënyra e realizimit kundër kampiones së Francës. Trajneri Frenk Rajkard beson se tashmë ka ardhur momenti të fillojë bollëku i golave të Henrisë, duke bërë edhe një spostim taktik dhe duke e vendosur sulmuesin nga krahët në qendër.
5. Filipo Inzagi, 39 gola
Në moshën 34-vjecare, Inzagi duket si një burrë shteti në klubin e tij, por italiani nuk po jep asnjë shenjë se forma e tij po bie. Goli i tij në formë voleji, në fitoren 2-1 kundër Benfikës, nuk ishte aspak me i zbehtë se kryevepra e realizuar nga Andrea Pirlo. Pasi shënoi dy golat në fitoren madhështore të Milanit kundër Liverpulit në finalen e Ligës së Kampioneve, plus edhe dy të tjerë me Kombëtaren e Italisë në qershorin e kaluar dhe një tjetër në finalen e Superkupës kundër Seviljes, Inzagi është duke provuar se nuk është vetëm një mbrojtës i Milanit, por një sulmues race edhe pse ka kaluar prej katër vitesh të tridhjetat. Me Ronaldon e dëmtuar dhe Alberto Xhilardinon jashtë forme, ai është shndërruar në udhëheqësin e vijës sulmuese duke marrë më shumë përgjegjësi.