Java XII SuperBakaj, Dinamo: Tani luftoni për vendin e 2-të
Autori i Lajmit: Redaksia
Tiranë - U luajtën 3 nga ndeshjet e javës së 12-të të Kampionatit të 71-të Kombëtar të Futbollit, superliga, që konsiston edhe me nisjen e fazës së dytë të kësaj kategorie. Bie në sy fitorja e pastër, 2-0, e Dinamos kryesuese ndaj Kastriotit të Krujës. Dy gola të shënuar nga sulmuesi i dalluar i kampionatit shqiptar, që kryeson edhe listën e golashënuesve të superligës, me 8 gola, pjesë e Kombëtares kuqezi tashmë, Elis Bakaj, i kanë dhënë 3 pikët e radhës Dinamos, që duket se nuk njeh asnjë kundërshtar në këtë garë. E vetmja skuadër, që nuk e ka provuar ende shijen e humbjes në kampionat, Dinamo, e drejtuar nga Shkëlqim Muça, vijon e qetë dhe e pashqetësuar rrugën e saj drejt titullit kampion. Pasi e ka mbyllur fazën e parë me një diferencë prej 10 pikësh nga ndjekësja më e afërt, Besa, skuadra dinamovite e ka nisur më këmbën e parë edhe fazën e dytë. Duke mundur pa shumë vështirësi 2-0 Kastriotin, Dinamo e shikon veten tashmë në kuotën e 32 pikëve, të paktën për 24 orë, deri sot në mbrëmje, teksa të luhet ndeshja Vllaznia-Besa, plot 13 pikë më shumë se kavajasit. Vërtet shumë për një kampionat si ky yni, çka tregon se titulli po bëhet dita-ditës një çështje e kryer për Dinamon. Po dje, në kuadrin e javës së 12-të të superligës, janë luajtur edhe dy ndeshje të tjera, që kanë dhuruar barazime surprizë dhe të papritura, në fakt. Laçi, me një ecuri mjaft pozitive në javët e fundit, që sapo kishte mundur 1-0 Tiranën kampione në fuqi, priti në fushën e tij Skënderbeun. Kurbinasit nuk e kanë shfrytëzuar dot faktorin fushë kësaj here, pasi nuk kanë shkuar më tej se një barazim i bardhë 0-0 me korçarët. Loja ka folur totalisht për skuadrën e drejtuar nga Stavri Nica, sidomos në pjesën e dytë, raste të shumta për gol, por gjithcka është frenuar nga mbrojtja e përforcuar kuqebardhë, me në krye portierin kroat, Tomashiç, i cili ka rezultuar edhe heroi i kësaj ndeshjeje, me pritjet e kryera. Një pikë, që ka kënaqur më shumë Skënderbeun, ndërsa Laçi ka pasur shansin më të mirë për të ngjitur shkallë të tjera në renditje. Në Peqin, një tjetër barazim i papritur, është fiksuar mes Shkumbinit vendas dhe Gramozit të Ersekës. Miqtë kolonjarë e kanë parë veten qysh në minutën e 9-të të lojës në epërsi, me golin e shënuar nga Sadiku, avantazh të cilin e kanë ruajtur deri në minutën e fundit të ndeshjes. Por, pikërisht në limit, në minutën e 90-të, sulmuesi peqinas, Roland Dervishi, ka shuar ëndrrën kolonjare për të marrë 3 pikë. Barazim që ka ndarë nga një pikë për të dyja skuadrat, që në fakt, nisur nga situate në klasifikim, nuk i ka bërë shumë punë asnjërës palë. Sot do të luhen edhe dy ndeshje të tjera të kësaj jave. Në Shkodër, Vllaznia do të presë Besën e vendit të dytë, ndërsa në Durrës, Teuta do të ballafaqohet me Apoloninë. Dy sfida mjaft interesante, ku pritësit kërkojnë maksimumin, ndërsa miqtë të njëjtën gjë, për të ruajtur pozitat që kanë në renditje, në ndjekje të Dinamos. Por, nëse shikojmë ecurinë e Dinamos, ndoshta do të ishte më mirë të thoshim që ndjekësit janë të detyruar tashmë të luftojnë për vendin e dytë dhe të tretë. Të hënën, në Vlorë, Flamurtari vendas do të presë Tiranën kampione në fuqi, në një sfidë të nxehtë, pasi të dyja palët synojnë 3 pikët.
Flamurtari fiton kupën “Pavarësia”
Dje, Flamurtari ka marrë pjesë në Kupën e Pavarësisë, organizuar me rastin e Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntorin, kështu që ndeshja zyrtare e kampionatit, e vlefshme për javën e 12-të, me Tiranën, është shtyrë për të hënën. Flamurtari i Vlorës është fituesi i edicionit të parë të kupës “Pavarësia”. Në këtë turne morën pjesë Flamurtari i Vlorës (Shqipëria), FK Prishtina (Kosova) dhe Shkëndija e Tetovës. Të tri ndeshjet (nga 45 minuta secila) përfunduan me rezultatin 0-0. Flamurtari fitoi me penallti. Trofeun fituesit ia dorëzoi anëtari i Komitetit Ekzekutiv i FSHF-së, Gjergji Thaka.
“Dhuna” e Kategorisë I
Partizani ka barazuar 1-1 në fushën e Memaliajt të vendit të fundit në Kategorinë e Parë. Por, pas këtij barazimi, sipas drejtuesve të klubit të kuq, qëndron një dhunë e jashtëzakonshme, e të gjitha llojeve. Sipas trajnerit Skerdi Bejzade, Partizani e ka lënë vetë golin e barazimit për vendasit, si e vetmja mënyrë për të dalë të gjallë nga kjo fushë. Në përfundim të ndeshjes, lojtarët dhe drejtuesit e skuadrës së kuqe pohojnë se janë mbajtur si në shtetrrethim nga policia, e cila jo vetëm është treguar e paaftë për të siguruar rendin dhe qetësinë e ndeshjes, por ka ushtruar edhe vetë dhunë mbi lojtarët e Partizanit. Partizani është mbajtur në mjediset e stadiumit të Memaliajt për disa kohë, pas ndeshjes, pasi tifozët vendas kanë qëndruar aty, duke goditur lojtarët e kuq. Trajneri Skerdi Bejzade, i kontaktuar me telefon, ka pohuar: “Kam përjetuar një nga situatat më të vështira në karrierën time sportive. Nuk më kishte qëlluar të luaja një ndeshje në një terror të tillë psikologjik. Tifozët vendas, përveç sharjeve në kor, kapnin gjyqtarët anësorë përmes telave dhe u bënin presion të mos guxonin të ngrinin flamurin për pozicion jashtë loje. Nuk kishin asnjë mundësi gjyqtarët e ndeshjes që të gjykonin sipas rregullores e me drejtësi, pasi jeta e tyre ishte në rrezik, ashtu sikurse jona. Ne shënuam të parët, me anë të Dashit, dhe i kishim të gjitha mundësitë të ruanim këtë avantazh, por nga të gjitha anët ushtrohej një presion i paparë. Nuk kishim asnjë rrugë, përveçse të lejonim golin e barazimit për Memaliajn, nëse donim të qetësonim sadopak situatën dhe të dilnim të gjallë nga fusha. U thashë lojtarëve të lejonin golin e barazimit, sepse situata është e tmerrshme dhe mund të shpërthente në dhunë nga momenti në moment. Jemi goditur me gurë gjatë gjithë kohës nga tifozët, pa llogaritur këtu sharjet dhe kërcënimet verbale. Jemi dhunuar jo vetëm nga tifozët, por edhe nga forcat e rendit, të cilat nuk na merrnin në mbrojtje, por na shanin dhe kërcënonin. Në një situatë të tillë, nuk mund të bëhet më fjalë për futboll. Kemi falënderuar Zotin që kemi dalë pa ndonjë pasojë të madhe fizike nga kjo ndeshje, ndërkohë që do ti propozoj klubit që këto 11 fanella të baltosura e të dhunuara të Partizanit tia dërgojmë si dhuratë FSHF-së. Le ta luajë ajo futbollin në Shqipëri, le ta përfaqësojë ajo Partizanin, sepse në këtë mënyrë nuk mund të rrezikojmë më. Kjo që i ka ndodhur sot Partizanit, një ditë pas festës së madhe të Bajramit, është akuza më e rëndë që shkon në adresë të drejtuesve të futbollit në vendin tonë. Atyre nuk u intereson asgjë, me sa duket, përveçse karrigeve të tyre. Nëse të gjithë po konsumojnë bakllava për festat e Bajramit dhe të Pavarësisë e Çlirimit, ne duhet të bëjmë nga një hallvë, që të gëzojmë sadopak që dolëm të gjallë nga fusha sportive e Memaliajt”, – përfundoi Bejzade.
Kontestime dhe në Lushnja-Bylis
Në javën e 12-të të Kategorisë së Parë spikaste kryesfida e “Roza Haxhiut”, mes Lushnjës dhe Bylisit. E paraparirë nga një akuzë e drejtuesve të klubit lagunar, se Bylisi ka tentuar të blejë 4 lojtarë, më pas kundërpërgjigjja e presidentit ballshiot, Kapllanaj, ky 90-minutësh pritej i nxehtë. Dhe në fakt ashtu ka rezultuar. Minutat e fundit të ndeshjes kanë qenë mjaft të acaruara. Lushnja ka pretenduar për një penallti, në favor të sulmuesit të saj, Klodian Arbri, por nuk ka qenë i këtij mendimi kryesori Albano Janku. Trajneri vendas ka protestuar ashpër ndaj gjyqtarit Janku, madje duke hyrë edhe në fushë. Më pas ka bërë shenjë që skuadra e tij të tërhiqet, duke lënë ndeshjen pa përfunduar, por drejtuesit e tjerë të klubit kanë anuluar gjithçka. Lushnja mbetet në fushë, por nga tifozët hidhen shumë fishekzjarre. Disa nga lojtarët e Bylisit shtrihen përtokë, ndërkohë që vendasit i konsiderojnë simulime këto veprime të ballshiotëve, duke kërkuar nga gjyqtari Janku që të vijojë lojën. Në një situatë të tillë, gati kaotike, vijojnë të luhen pesë minutat e fundit të ndeshjes, të cilat nuk sjellin asnjë ndryshim në rezultat. Bardhësia e shifrave 0-0 nuk ndryshon, duke i shkuar si rezultat më shumë për shtat Bylisit, që ruajti kryesimin, ndërkohë që Lushnja vuajti shumë presionin e një ndeshje përcaktuese për të, të cilën e nisi në fakt qysh në fillim të javës mediatikisht, teksa akuzoi presidentin ballshiot, Besnik Kapllanaj, se ka telefonuar dhe u ka kërkuar 4 lojtarëve të saj të shisnin ndeshjen. Po në kuadrin e kësaj jave, u luajtën edhe sfidat e tjera, me përjashtim të asaj Pogradeci-Bilisht Sport, që do të zhvillohet sot në Elbasan, ngaqë stadiumi pogradecar është në rikonstruksion. Kështu, Elbasani mundi 2-0 Skraparin, duke mbetur në pozita kreu, Burreli fitoi 2-0 ndaj Gramshit, Kamza mundi 2-1 Sopotin, Ada triumfoi 3-0 ndaj Besëlidhjes, ndërsa Partizani barazoi 1-1 në Memaliaj.
Ky lajm është publikuar: 29/11/2009