E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtuesit kërcënojnë Qeverinë: Bllokojmë një muaj punën

Autori i Lajmit: Silvana BalliuNdërtuesit kërcënojnë se do të ndërpresin një muaj punën, madje për këtë kohë që nuk do të punojnë nuk do të paguajnë as detyrimet fiskale, nëse Qeveria vazhdon të ndjekë politikë tensionuese ndaj biznesit.
Një kërcënim i tillë vjen në një moment, kur të ardhurat fiskale në Tatime kanë shënuar rënie të ndjeshme. Në 11-mujorin e fundit Qeveria ka 22 milionë lekë humbje, pikërisht nga mosrealizimi i të ardhurave nga taksat e tatimet. Në kushtet kur kriza financiare në sektorin e ndërtimit është prezent dhe politika e tensionon edhe më tej situatën, duke i etiketuar bizneset si mafioze, ndërtuesit i kërkuan dje Qeverisë zgjidhjen sa më parë të problemeve.
Paralajmërimi
Sipas tyre, qeveria ende nuk i ka shlyer borxhet ndaj firmave që kanë kryer veprat publike, nga ana tjetër nuk po mblidhet Këshilli i Rregullimit të Territorit si dhe Plani Rregullues ka mbetur pezull. E gjithë kjo situatë ka sjellë që shumë firma nga fitimi të shkojnë në falimentim. Shoqata e ndërtuesve paralajmëron, se nëse situata nuk gjen zgjidhje, ata do të ndërpresin një muaj punën. “Në rast të mosmbushjes së këtyre kërkesave, ne i propozojmë aktivit të marrë masa për ndërprerjen e punës për një muaj në kantiere si rrjedhojë edhe mos derdhjen e asnjë detyrimi për këtë periudhë”.
Deklarata
“Për këtë falimentim përgjegjësi mban politika, e cila në vend që të bashkëpunojë me biznesin për të gjetur zgjidhje, vijon me mospërfillje të konsumojë veten duke mos i dhënë zgjidhje biznesit”- tha Maksim Muçi, drejtor i Shoqatës së Ndërtuesve. Shoqata ka kërkuar që të shmangen etiketimet që i janë bërë bizneseve kohët e fundit si dhe arbitrariteti i institucioneve zyrtare. “Të bëhet likujdimi total i detyrimeve ndaj firmave të ndërtimit të infrastrukturës si dhe të merret në konsideratë borxhi i këtij viti ndaj këtyre firmave, në planifikimin e objekteve të reja për vitin 2010”- vijon më tej Muçi. Gjatë aktivitetit kombëtar të ndërtuesve, bizneset kanë dalë në konkluzionin se klima aktuale ekonomike është e pasigurt për investime, ndërsa qeveria mbetet indiferente ndaj kërkesave të sipërmarrjes private. Mungesa e miratimit të Planit Rregullues, mos mbledhja e KRRT-ve, si pasojë e problemeve politike, efektet e krizës ekonomike, mungesa e kreditimit e cila është shoqëruar me rënie të fuqisë blerëse ka futur në ngërç sektorin më të madh në vend, atë të ndërtimit. Ky sektor kontribuon në 16% të PBB-së në vend.
Ndërtimi, ndër sektorët optimistë
Raportet dhe vrojtimet tregojnë se çmimet në këtë sektor flasin për një tendencë të lehtë në rënie, kjo edhe si shkak i rënies së kërkesës nga qytetarët. Ofertat me ulje çmimesh, po bëhen më të shpeshta. Në një vrojtim të fundvitit të kaluar, të organizuar po nga Banka, sektori i ndërtimit tregonte një indeks pozitiv besimi, duke u cilësuar si i vetmi sektor optimist për vitin 2009, pavarësisht klimës së përgjithshme ekonomike që pritet të jetë negative. Vrojtimi tregon se niveli i përgjithshëm i çmimeve pritet të rritet pak, por gjithsesi mbetet në nivele të ulëta në krahasim me mesataren afatgjatë",- thuhej në Indeksin e publikuar nga Banka e Shqipërisë.

Hapja e një qendre tregtare

Kryeministri Berisha:
Në Shqipëri ska krizë

Kryeministri Sali Berisha ka hedhur sërisht akuza ndaj kryesocialistit rama, duke i kujtuar se kriza në Shqipëri është vetëm një ëndërr. Kryeministri ishte dje i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të qendrës tregtare dhe argëtuese “City Park”, ku përshëndeti investitorët, të cilët siç tha, bënë të mundur ndërtimin e një qendre të tillë tregtare dhe argëtuese, një nga investimet më të mëdha në Shqipëri dhe ndër më të mëdhatë të rajon. Ftoj edhe ndonjërin që ëndrrat e natës i merr për realitetin e ditës të vijë këtu, të pijë ndonjë kafe dhe të shohë që kriza është thjesht një ëndërr e keqe nate, sepse ditën Shqipëria vetëm zhvillohet, inauguron qendra të tilla të fuqishme, thith investime të huaja”, tha Berisha.

Lajme në
tetë sekonda

BSH konkurs në 5
shkolla në rang vendi

Banka e Shqipërisë në zbatim të programit të edukimit “Banka qendrore në jetën e përditshme”, ka zhvilluar me nxënësit e shkollave të mesme të Republikës së Shqipërisë konkursin “Vlera e vërtetë e parasë!”. Në konkurs morën pjesë 5 shkollat fituese në rang kombëtar: shkolla “Tirana Jonë” – Tiranë, shkolla “Themistokli Gërmenji, Korçë, shkolla “28 Nëntori” Shkodër, shkolla “Ali Demi” Vlorë, shkolla “Siri Shapllo” Gjirokastër.

"Gulfo", monedha e
re e Gjirit Persik

Vendet e Gjirit Persik kanë nisur fazën e parë të Bashkimit Monetar të Gjirit, që ka si objektiv nxjerrjen në qarkullim brenda dhjetë viteve të ardhshme të një monedhe të përbashkët për shtetet e naftës. Valuta e re, e konceptuar mbi modelin e euros, do të përdoret për të sfiduar dollarin, si mjet shkëmbimi ndërkombëtar për arin e zi. "Pakti i bashkimit monetar të Gjirit më në fund u bë realitet", tha ministri i Financave.

Reformimi i sistemit
të taksave në Greqi

Ministri grek i Financave tha se reformimi i sistemit të taksave është një hap i rëndësishëm drejt dhënies fund të krizës së tanishme financiare. Jorgo Papakonstantinu tha dje se ndryshimet e taksave do të hyjnë në fuqi nga muaji mars. Ndryshimet supozohet të shkurtojnë evazionin e gjerë të taksave dhe të ndihmojnë në rritjen e besimit të huadhënësve se Athina është e aftë të zgjidhë krizën e deficitit.

BQE: Situata në Greqi
është shumë serioze

Greqia duhet të ndërmarrë masa thelbësore dhe kurajoze sa më shpejt të jetë e mundur. Kështu është shprehur zëvendëspresidenti i BQE-së, Lucas Papademos. “Vendi ndodhet në një situatë shumë serioze për llogaritë publike”, ka shprehur ai. Papademos, i cili me përpara ka qenë numri një i Bankës Qëndrore Greke, dje në Frankfurt është takuar me ministrin grek të Financave, George Papaconstantinou.
Ky lajm është publikuar: 20/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›