Stalini Ku është tirani, është komploti. Nëse sështë, krijohet!
Autori i Lajmit: Nga Norberto BobbioPushteti autokratik (...) jo vetëm që pretendon të jetë në gjendje ta bëjë të dështojë sekretin e të tjerëve më mirë se pushteti demokratik, por kur është e nevojshme e shpik, që të mund ta forcojë, që të mund ta justifikojë ekzistencën e vet. Pushteti i padukshëm bëhet pretekst, një kërcënim i patolerueshëm që duhet të luftohet me çdo mjet. Ku është tirani, është komploti: nëse nuk është, krijohet. I përbetuari është kontrafigura e domosdoshme e tiranit. Sa i lumtur dhe mirëbërës do të ishte tirani sikur pushteti i errët që e kërcënon të mos fshihej në çdo cep të pallatit, deri brenda sallës së fronit, mbrapa supeve të tij.
Në njërin nga tregimet e tij të fundit, Calvino përshkruan “mbretin duke dëgjuar”, ulur në fronin e tij, i palëvizshëm, të cilit i vijnë në vesh të gjitha zhurmat, edhe atë më të voglat, e pallatit mbretëror, e çdo zhurmë është një paralajmërim, një shenjë rreziku, fillimi i kushedi çfarë përmbysjeje: “Spiunët kanë zënë vend pas të gjitha perdeve të mëdha e të vogla. Spiunët e tu, agjentët e shërbimit tënd sekret, që kanë për detyrë të kenë lidhje të hollësishme me komplotet e pallatit. Oborri gëlon prej armiqsh, aq sa është gjithnjë e më e vështirë ti dallosh prej miqve: dihet me siguri se komploti që do të të rrëzojë nga froni do të realizohet nga ministrat dhe nga nëpunësit e tu. E ti e di që ska shërbim sekret që të mos jetë infiltruar prej agjentësh të shërbimit sekret kundërshtar. Mbase të gjithë agjentët që marrin pagë nga ti punojnë për komplotistët, janë ata vetë komplotistë; kjo të shtrëngon tamam të vazhdosh ti paguash për ti mbajtur në të mirë sa më gjatë që është e mundshme pranë vetes”. Por edhe heshtja është kërcënuese: “Prej sa kohësh nuk e ndien ndërrimin e rojeve? E sikur shefi i rojeve besnike ndaj teje të jetë burgosur nga komplotistët?”.
Stalinizmi mund të interpretohet edhe si zbulim, që tirani bën, e vetëm tirani është në gjendje ta bëjë, i universit si një komplot i pafundmë, si realitet i thellë i botës reale, që e zotëron botën e dukshme jokonsistencën e së cilës e zbulon vetëm tirani duke i çliruar vdekatarët e zakonshëm nga frika e mbretërisë së errësirës. Një shembull tipik i gjahut të shtrigave. Por kur gjahu i shtrigave shfaqet në një shoqëri demokratike, liria është në rrezik, e demokracia rrezikon të konvertohet në të kundërtën e vet. Nuk e di a ekziston një vepër mbi teknikën e pushtetit sekret. Jam i detyruar të kufizohem në disa vërejtje të shpejta. Janë të rrënjosura në veprimin politik, në atë të pushtetit dominues po aq sa në atë të kundërpushtetit, dy teknika specifike, që e kompletojnë njëra-tjetrën: Të hiqen nga shikimi i publikut në momentin kur merren vendime të interesit politik dhe të vënë maskën kur janë të detyruara të prezantohen në publik.
Në shtetet autokratike, vendi i vendimeve të fundit është kabineti sekret, dhoma sekrete, këshilli sekret. Sa i përket maskimit, ai mund të kuptohet sa në kuptimin real po aq edhe në kuptimin metaforik. Në kuptimin real, vënia e maskës e shndërron agjentin në një aktor, skenën në skenë teatri, aksionin politik në një reprezentim. Ideja e politikës si spektakël është gjithçka tjetër veçse jo e re. Kur Hobbes ndërfut diskursin mbi temën e reprezentacionit, stabilizon një analogji të drejtpërdrejtë mes reprezentimit dhe reprezentacionit. Bile tema e personit që reprezenton njkë tjetër, e që Hobbes e quan “actor”, do të jetë transferuar në politikë nga skena e teatrit “për të treguar cilindo që reprezenton fjalë dhe veprime, aq në tribunale sa në teatro”.
Siç thotë Canetti, maska e transfiguron fytyrën njerëzore ngase e bën rigide: “Ajo ia lë vendin, në një lojë të shprehjes kurrë të qetë, përjetësisht të lëvizshme, kundërtisë: një rigjiditet i përsosur dhe constant”. “Nën maskë”, thotë më pas Canetti, “fillon misteri (...) Nuk duhet të dihet çka fshihet mbrapa saj (...). Meqë nuk është e mundshme të lexohet mbi të ndryshimi i shpirtit si mbi një fytyrë, dyshohet dhe kihet frikë se e panjohura është mbrapa saj”. Njëra nga analogjitë e shumta me të cilën janë shërbyer shkrimtarët politikë për ta rafiguruar njërën nga format e pushtetit është Proteo apo kameleoni që bëhet i panjohshëm duke e ndryshuar vazhdimisht pamjev e vet. Por njeriu mund ta ndryshojë maskën në pafundësi, pra të duket ndryshe nga ajo që është pafundësisht herë. Asgjë nuk mund ta ngatërrojë kundërshtarin më shumë se mos mundësia për ta njohur fytyrën e vërtetë të atij që qëndron përballë.
Teksti është pjesë e ligjëratës Democrazia e segreto, mbajtur nga Norberto Bobbio në Sassari më 1988, gjatë një takimi mbi “Traktatin sekret”. Teksti qe elaboruar nga Michelangelo Bovero në Teoria Generale della politica, botuar më 1999 nga Einaudi. (Përktheu: Arben Idrizi)
Ky lajm është publikuar: 20/12/2009