E Shtunë, 31 Tetor 2026

Java e 22-të, duelet që mund të ribëjnë renditjen e Superiores

Albania-Sport - Java e 22-të e Kategorisë Superiore në futboll parashikon ndeshje pak a shumë të ekuilibruara, me përjashtim të Shkumbini-Tirana. Por peqinasit kanë dhënë shenja ngritjeje dhe dëshirë për të qëndruar me meritë në Kategorinë Superiore, aq më shumë kundër kryeqytetasve, do të luajnë në fushën e tyre. Për vendasit nuk do të luajë Ramazani, për shkak të tre kartonëve të verdhë, ndërsa Tirana nuk ka asnjë të ndëshkuar.
Të mos harrojmë se takimi i javës së 11-të, Tirana- Shkumbini, ka përfunduar me një 2-2 të paharrueshëm për peqinaset, por që i kushtoi Mirel Josës pankinën bardheblu. Vlaznia do të ketë përballë Teutën në "Loro Borici" dhe, gjatë 90 minutave të kësaj supersfide, pritet një "luftë e fortë" për të siguruar vendin e dytë në renditje. Në ndeshjen e javës së 11-të, të luajtur në "Niko Dovana", ndeshja ka përfunduar me fitoren 1-0 të durrsakëve me gol të Daniel Xhafës.
Për Teutën nuk do të jenë Edlir Tetova dhe Bledar Devolli, ndërsa nga Vllaznia do të mungojë portieri Grima. Flamurtari do të ndeshet me Partizanin në Vlorë. Vlonjatët luftojnë t'i bashkëngjiten gjashtëshes së parë në renditje, ndërsa të kuqtë kanë një mundësi për të bërë rrokadë me vendin e dytë e të tretë, sigurisht, nëse rezultatet e javës do të ndërthureshin në variantin më të mirë për skuadrën e trajnerit Hasan Lika.
Ndeshja e javës së 11-të, Partizani- Flamurtari, ishte një katastrofë e vërtetë për vendasit: 0-3 për vlonjatët, që këtë radhë do të jenë pa Gunën dhe Nenajn. Dinamo do të presë Apoloninë e vendit të fundit. Bluve u duhet shumë një rezultat pozitiv, pasi kanë përpara Besën për ta arritur dhe prapa Elbasanin me pikë të barabarta, 28, që i ndjek. Ndeshja e 11 nëntorit në Fier ka folur për vendasit, të cilët kanë ngadhënjyer 1-0, me gol të Plakut.
Dinamos do t'i mungojnë për shkak pezullimi Goran Vicentic, Julian Ahmataj dhe Ilirian Caushaj. Apolonia mund të paraqitet me formacion të plotë. Elbasani-Besa pritet të jetë gjithashtu një përballje pak a shumë të barabartësh. Me fitoren e tri pikëve, vendasit barazohen në kuotën 31 me kavajasit. Por këta të fundit synojnë për më lart, t'i afrohen vendit të katërt. Takimi mes tyre në javën e 11-të ka përfunduar në barazim 2-2.
Për vendasit këtë radhë nuk do të jetë Kacollja, ndërsa për Besën mungon Renato Arapi, të dy të pezulluar. Krutanët e vendit të dhjetë do të presin fqinjët e tyre në klasifikim, gjirokastritët e vendit të 9-të me 1 pikë më shumë. Ndeshja e javës së 11-të mes tyre në Gjirokastër ka përfunduar me një 2-0 të pastër për vendasit. Luftëtari do të luajë në Krujë pa Simon, ndërsa Kastrioti mund të paraqitet me formacionin e tij më të mirë. Takimet Dinamo-Apolonia dhe Kastrioti-Luftëtari do të luhen të dielën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›