E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kritikohet Berisha, e mbrojnë shokët

Trajneri dhe shokët e skuadrës i kanë dalë në mbrojtje Besart Berishës, i cili u akuzua se ‘aktroi’ në penalltinë që iu dha ekipit të tij Brisbane Roar, të cilën më pas sulmuesi kosovar e shndërroi në gol, me ç’rast edhe ia siguroi titullin e kampionit në A-League. Kapiteni i Brisbane, Matt Smith thotë se do të ishte e turpshme nëse akuzohet Berisha për penalltinë e fituar.

“Më duket diçka e turpshme. I kam dëgjuar mediet gjatë mëngjesit se Perth (ekipi kundërshtar) iu vjedh fitorja. Për çka e keni fjalën? Unë e shikova atë rast dhe m’u duk që ishte penallti. I pash përsëritjet dhe e pash që këmba e majtë e Besit u ‘qeth’. Njerëzit që nuk e shohin këtë, mund të jenë të verbër”, deklaroi futbollisti australian.

“Besi ishte 5 metra larg golit. A mendoni se ai do të rrëzohej në atë rast? Ai është njëri prej djelmoshave më të ndershëm. Besi nuk do të rrëzohej në atë mënyrë pa e prekur kush”, u shpreh Smith i cili e lavdëroi sulmuesin kosovar për paraqitjet që shfaqi këtë sezon.

Ndërkohë, trajneri i Roar, Ange Postecoglou, e ka përgëzuar ish futbollistin e Hamburgut për paraqitjen që shfaqi. Njëjtë si Smith, edhe ai mendon se penalltia në dëm të Berishës ishte e pastër.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›