E Diel, 1 Nëntor 2026

Java e parë e Filmit Spanjoll, tashmë edhe në “Bylis”



Petrika GROSI
Nën tematikën “Kinemaja dhe Artet” po vazhdon këto ditë Java e parë e filmit spanjoll vazhdon në Fier me shfaqjen e filmave të zgjedhur të shkollës spanjolle dhe mbështetjen e Ambasadës së Spanjës në Tiranë. Qysh nga viti 2006, kohë kur është hapur Ambasada e Spanjës në Tiranë, ka iniciuar një projekt ambicioz për të thelluar njohjet e publikut shqiptar mbi artet dhe kulturën spanjolle. Në këtë kuadër janë zhvilluar fillimisht në kryeqytet Javët e Filmit Spanjoll, për t’u përhapur më pas edhe nëpër rrethe. Siç shprehet dhe vetë Ambasada Spanjolle në komunikimin për shtyp “Pa dyshim, një nga objektivat kryesore që kjo Ambasadë parashtroi për vitin 2008, ishte decentralizimi i aktivitetit kulturor për të promovuat kështu njohjen e Spanjës dhe gjuhës spanjolle jo vetëm në kryeqytet, por edhe në qytetet e tjera të mëdha të gjithë vendit.” Duke pasur parasysh këta dy elemente, thellimin e njohjes së përbashkët dhe decentralizimin kulturor, Ambasada e Spanjës në Tiranë ka organizuar ciklin “Kinemaja dhe Artet”, ku do të shfaqen pesë filma përfaqësues të disa prej disiplinave artistike që Spanja kërkon t’i bëjë të njohura. Me çdonjërin prej këtyre filmave, Spanja tregon, jo vetëm kinemanë e saj, por dhe një vështrim në artet e tjera.
Më konkretisht, filmat janë “Camaron”, “Udhëtim drejt asgjëkundit”, “Goya në Bordo”, “Qeni i kopshtarit” dhe “Dielli i ftoit”. Këto filma janë shfaqur në Tiranë, Durrës e Berat, dhe tashmë edhe në teatrin “Bylis” të Fierit. Gjithashtu, Ambasada bën të ditur se Java e Filmit Spanjoll do të jetë një aktivitet që do të zhvillohet edhe nëpër qytete të tjera të Shqipërisë.
Hyrja për të gjithë ata që dëshirojnë të ndjekin këto filma është gratis dhe gjithashtu, nuk mungon subtitrimi i tyre në shqip.

Filmat që shfaqen çdo ditë në orën 19.00
në Teatrin “Bylis”, të Fierit.

E Hënë, 8 shtator, - CAMARON
E Martë, 9 shtator, - GOYA NE BORDO
E Mërkurë, 10 shtator, - QENI I KOPSHTARIT
E Enjte, 11 shtator, - DIELLI I FTOIT
E Shtunë, 12 Shtator, - UDHETIM DREJT ASGJEKUNDIT

10 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›