E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Java teatrore e të rinjve 2009”. “Bernarda Alba” e “Morsa” triumfojnë në Teatrin Kombëtar



Izaura Ndoj

Ka përfunduar në teatrin Kombëtar “Java teatrore e të rinjve”, një javë plot projekte dhe shfaqje në konceptime të reja regjisorësh të rinj, ku mes shumë dilemash, prezantimesh dhe emrave, juria shpalli fituesit. Juria e ngritur për të përcaktuar projektin fitues në disa kategori, e përbërë nga aktori i mirënjohur i skenë dhe kinematografisë Ndriçim Xhepa, regjisori i ri Mikel Kalemi dhe përfaqësuesja e Ministrisë së Kulturës, Joli Gjovreku kanë shpallur fituesit në ambientet e këtij institucioni. Regjia më e mirë u fitua nga Alma Hoti për konceptimin skenik të shfaqjes “Shtëpia e Bernarda Albës”. Aktori më i mirë protagonist, një çmim i cili i shkoi aktores së re Klodi Keco, për interpretimin në shfaqjen “Morsa”, ndërsa aktori më i mirë jo protagonist u shpall Marsela Lena për rolin e realizuar në dramën “Shtëpia e Bernarda Albës” dhe skenografia më e mirë i takoi Beqo Nanajt për konceptimin skenik të shfaqjes “Morsa” nga Luixhi Pirandelo. Organizatorët e këtij aktiviteti ishin TK dhe MTKRS-ja. “Shtëpia e Berndarda Albes” vepër e Federiko Garsia Lorkës ka konkurruar si premierë e festivalit të regjisorëve të rinj. Lorka është rikthyer pas një mungese të gjatë në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar nën regjinë e të rinjve të festivalit të dramës. Kjo vepër e dramaturgut dhe poetit të shquar spanjoll është ngjitur për herë të parë në vitin 1961në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Në atë kohë në rolin e Bernarda Albes luante Marie Logoreci. Ngjarjet e dramës zhvillohen në Andaluzi. Nëntë aktore femra, me në krye personazhin e Bernarda Albes, luftojnë për dashurinë e një mashkulli. Kanë interpretuar aktoret e reja Armela Demaj (Bernarda Alba), Elona Hyseni (Poncia), Esmeralda Metka (Adela), Marsela Lena (Martirio), Gladiola Harizi (Angustias), Klodiana Keco (Magdalena), Anisa Dervishi (Amelia), Denalda Teli (sherbyesja), Jonida Cunga (Prudencia) dhe Adriana Tolka (María Josefa). Vetë Garcia Lorca e kualifikoi veprën si “drama e grave të fshatrave të Spanjës”, tragjedi që shfaqet me një forcë të pakalueshme: një ambient i mbyllur, mbytës, zija e detyruar nga zonja dhe ndalimi për të dalë nga shtëpia përfundojnë në një fatalitet. Për të gjithë këto, kjo vepër, në të cilën nuk duket as edhe një personazh mashkullor, nënkupton një qëndrim në favor të lirisë mbi të gjitha konvencionet shoqërore. Regjia më e mirë, e fituar nga Alma Hoti, i jep të drejtën regjisores të ketë edhe disa shfaqje të tjera në Teatrin Kombëtar, si edhe një vlerësim material i cili shkon në kufijtë e 100 mijë lekëve. Burime të brendshme brenda institucionit tregojnë se kjo dramë do të vihet në skenë në datat 7-8 dhjetor. Parë nga jashtë kjo vënie e regjisores së re në ditët e para të dhjetorit është gjetur nga drejtuesit e institucionit, jo thjesht si një projekt fitues, por edhe si një mundësi shpëtimi për të patur një shfaqje të re të sezonit, gjë që ky institucion tregoi se e kishte të pamundur për ta realizuar në fillim sezonin teatror 2009-2010.

Ekspozita e Armëve 1944 në Muzeun Historik Kombëtar
Dje paradite, në hollin kryesor të Muzeut Historik Kombëtar u hap ekspozita e armëve të luftës gjatë periudhës së pushtimit të Shqipërisë në vitet 1939-1944. Të vendosura në mjedis të këtij institucioni, armët janë prodhime italiane dhe gjermane, të marra gjatë luftës nga forcat shqiptare antifashiste. Në ceremoninë e hapjes, drejtori i këtij Muzeu, Luan Malltezi shpjegoi për të pranishmit se “Kjo ekspozitë dëshmon për luftën dhe përpjekjen e popullit shqiptar, aspiratat e tij për liri, në periudhën e pushtimit”. Ekspozitë, e prezantuar në kuadër të festimeve në Tiranë të 65-vjetorit të Çlirimit të vendit sjell eksponate të rëndësishme dhe me vlerë historike si :Automatiku dhe doreza goditëse metalike e oficerit gjerman, Fon Essen, nip i Geringut, i vrarë në Shqipëri në luftën e Pezës. Me interes të veçantë janë edhe eksponatet e armëve që sjellin frymën e luftës, ku mitraloz, pistoleta tip Esperanza, Berrette, Belgjik 2547 janë një dëshmi e gjallë e luftës partizane, në vitet e përpjekjes për liri dhe pavarësi. Është menduar nga organizatorët të ‘zbresë’ nga pavijoni i armëve edhe një tas dhéu nga kampi i Mathauzenit, dhuruar Muzeut Kombëtar nga Dhimitër Simoni, ish-rob lufte në këtë kamp famëkeq të përqendrimit. Në një mjedis të kufizuar të ekspozimit mund të shohësh edhe dylbi gjermane, granata, aparate radio -marrëse, radiostacion, murtaja, etj. Një nga armët me vlerë dhe që e bën më të rëndësishme këtë ekspozitë mbetet padyshim mitralozi i Mujo Ulqinakut, tip Brenda italiane, një nga dëshmitë më të gjalla të qëndresë shqiptare ndaj pushtimit fashist 1939. Ekspozita është e hapur për publikun deri në fund të dhjetori 2009.

27 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›