Protesta, hetim për pesë studentë
Dërgohen për ndjekje penale pesë studentë të Universitetit të Kamzës, pasi dyshohen për bllokim të mësimit. Ata janë denoncuar nga drejtuesit e Fakultetit të Ekonomisë dhe Agro-Biznesit gjatë dy ditëve më parë, pasi kanë sjellë disa probleme. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se ditën e mërkurë janë njoftuar shërbimet e Komisariatit Nr. 5 se ka një tubim pranë universitetit. Ata janë njoftuar që në orët e para të mëngjesit dhe shërbimeve të policisë u është dashur të qëndrojë aty për disa orë. Sipas të dhënave policore, protesta ka shkuar qetë, por drejtuesit e fakultetit kanë denoncuar se kjo protestë ka sjellë bllokimin e mësimit dhe për këtë ka kërkuar ndëshkimin e organizatorëve. Nga të dhënat, policia ka mundur të identifikojë pesë nga këta studentë, të cilët janë Bledar Sh., Dorel S., Granit S., Entil A. dhe Mirdash Th., banues në Tiranë, të cilët janë dërguar për procedim penal në gjendje të lirë.