E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klos, gripi boshatis shkollat

Paniku i mbërritjes së gripit të derrave ka mbërthyer banorët e qytetit të Klosit në rrethin e Matit. Shkak për këtë është bërë prekja e qindra nxënësve të shkollave të këtij qyteti me simptomat e gripit. Kështu, prej katër ditësh, në dy shkollat, atë të mesme dhe atë nëntëvjeçare, kanë munguar 120 nxënës. "Edhe sot mungojnë 54 nxënës, të gjithë me shenja gripi", tha dje drejtori i gjimnazit, Gani Lili. Ndërkohë, në shkollën nëntëvjeçare të qytetit nuk janë paraqitur në shkollë gjatë ditës së djeshme 73 nxënës, po për të njëjtën arsye, gjë që flet për një rritje të numrit të të prekurve. Sipas prindërve, fëmijët e prekur me virozat gripale ankohen për dhimbje koke, të vjella etj. Drejtoresha e Qendrës Shëndetësore në Klos, Valbona Kola, thotë se në këtë qendër shëndetësore janë paraqitur për të marrë mjekim gjatë këtyre ditëve 120 nxënës shkolle. "Sipas meje, kemi të bëjmë me një gjendje gripale të zakonshme. Por, pavarësisht kësaj, në Institutin e Shëndetit Publik Tiranë janë dërguar 10 kampione analizash, për të përcaktuar saktësisht nëse kemi të bëjmë me një virozë gripale të zakonshme të stinës apo me virusin AH1N1", tregon drejtoresha Kola. Sipas saj, përgjigjja e këtyre analizave pritet që të merret nga Tirana brenda dy ditëve të ardhshme. Gjithsesi, një situatë e tillë me qindra fëmijë të prekur me virozë gripale ka shkaktuar panik te prindërit e nxënësve. Veç prindërve, të shqetësuar janë edhe drejtuesit dhe stafet pedagogjike të shkollave, pasi numri i mungesave të nxënësve është i lartë dhe po rritet nga dita në ditë. "Po vazhdoi e njëjta situatë, thonë drejtuesit e shkollave, Gani Lili dhe Tahir Hoxha, do kërkojmë pranë zyrës arsimore të Matit mbylljen e shkollave".

Hy.Li.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›