E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-LSI shkëmbejnë akuza të ndërsjella

Imeraj: Prifti rriti pasurinë me 1.8 milionë euro

PS dhe LSI kanë shkëmbyer dje akuza të ndërsjella politike, duke vënë në pah marrëdhëniet e “nxehta” mes tyre. Partia Socialiste akuzoi se “nuk është vetëm 1, por janë disa ministra, funksionarë të lartë dhe familjarë të anëtarëve të kabinetit të Sali Berishës, që vetëm gjatë vitit të fundit kanë shtuar disa herë pasurinë e tyre”. Armeja Imeraj, zëdhënëse e PS-së, doli para mediave me akuza direkte, duke u përqendruar te Dritan Prifti, ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. “Ndërkohë që për shqiptarët viti i fundit ka qenë viti i varfërimit, për Dritan Priftin ka qenë viti ku pasuria e tij është shtuar me 1,8 milionë euro”, deklaroi Imeraj. Për më tepër, ka akuzuar Imeraj, “dhe çfarë është më e tmerrshmja, këta njerëz as nuk marrin mundimin t’i paguajnë detyrimet e taksave shtetit që ata vetë drejtojnë”. Ndërkaq, Lëvizja Socialiste për Integrim vlerësoi se rezoluta e Parlamentit Europian është udhërrëfyesi më i mirë që duhet të ndjekë politika shqiptare për të mbërritur në standardet që do të bëjnë të mundur që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Zëdhënësi i kësaj partie në koalicion qeveritar, Ardit çela, në deklaratën e tij theksoi se “LSI konstaton me keqardhje se qëndrimi refraktar i lidershipit të Partisë Socialiste ndaj rezolutës së Parlamentit Europian është në dëm të interesave të vendit, është në dëm të integrimit europian të Shqipërisë. Shqipëria nuk do të humbë sfidat e saj të integrimit dhe shqiptarët nuk do të humbasin shansin për të qenë pjesë e Europës së Bashkuar, vetëm e vetëm se Partia Socialiste ka humbur zgjedhjet”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›