Jemen, ekzekutohet numri 2 i udhëheqjes së al-Kaidës

Ekzekutohet numri 2 i udhëheqjes së al-Kaidës në Gadishullin Arabik. Qeveria e Jemenit ka njoftuar se forcat e armatosura të këtij vendi e kanë vrarë shtetasin Said al-Shehri, që përshkruhet si i dyti në udhëheqjen e al-Kaidës në Gadishullin Arabik.
Ministria e mbrojtjes tha sot se Shehri ishte vrarë së bashku me gjashtë militantë të tjerë, gjatë një operacioni të forcave ushtarake në rajonin e largët lindor në Jemen, ku qeveria për rreth një muaj po zhvillonte luftime me militantët.
Shehri ishte përshkruar si shtetas i Arabisë Saudite, i cili ishte liruar nga burgu amerikan në Guantanamo Bej, në vitin 2007.
Nga Uashingtoni, al-Kaida në Gadishullin Arabik është cilësuar si krahu më i rrezikshëm i rrjetit militant islamik. Më parë, Shtetet e Bashkuara kanë përdorur aeroplanë pa ekuipazh për t`i marrë në shënjestër pjesëtarët e këtij grupi.