E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Jeni vonë me Reformën Zgjedhore”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Shqipëria nuk duhet të humbasë kohë dhe duhet të përgatitet seriozisht për zgjedhjet e ardhshme. Zgjedhjet do të mbahen në fund të qershorit 2009 dhe është shumë e rëndësishme që të gjitha përgatitjet të jenë gati shumë më parë se dita e zgjedhjeve”

Komisioni Evropian i bën apel politikës shqiptare për të mos humbur kohë me përgatitjet për zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen më 2009. Ambasadori i KE-së në Tiranë, Helmut Lohan, pohoi dje se duhet të përfundojë sa më shpejt puna për komisionet e votimit, listat zgjedhore dhe kartat e identitetit. Sipas tij, e gjitha infrastruktura zgjedhore duhet të jetë gati shumë më përpara zgjedhjeve të vitit 2009. Lohan ka theksuar gjithashtu se është e nevojshme që të arrihet sa më shpejt konsensusi mes partive politike për Reformën Zgjedhore. Konferenca e Kryetarëve u mblodh ditën e hënë për miratimin e kalendarit disajavor, por nuk përfshiu ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Kritikat
Shefi i delegacionit të këtij Komisioni në Tiranë, Helmuth Lohan, tha dje se Shqipëria nuk duhet të humbasë kohë dhe duhet të përgatitet seriozisht për zgjedhjet e 2009. “Zgjedhjet do të mbahen në fund të qershorit 2009 dhe është shumë e rëndësishme që të gjitha përgatitjet të jenë gati shumë më parë se dita e zgjedhjeve. Duhet që problemet me Reformën Zgjedhore, me prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit apo çështja e kompozimit të komisioneve të votimit të marrin zgjidhje në një të ardhme sa më të afërt”, - tha Lohan. Deklaratat, ambasadori i KE-së, i bëri dje pas përurimit të dy projekteve për përmirësimin e Lëvizjes së Lirë të Mallrave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Ambasadori i KE-së vuri theksin veçanërisht në përgatitjen sa më të shpejtë të Kodit të ri Zgjedhor. “Sa më shpejt të jetë e mundur duhet të arrihet konsensusi mes partive politike për çështjen e zgjedhjeve. Por sa më shpejt që të jetë i mundur”, - pohoi ai.
Komisioni
Komisioni i posaçëm për Reformën Zgjedhore ka rinisur prej muajsh punën për hartimin e Kodit të ri Elektoral, por ende nuk ka arritur në një produkt të plotë. Deri tani është fokusuar vetëm në parimet e përgjithshme të tij, si caktimi i periudhave zgjedhore përkatësisht nga 15 marsi në 30 qershor dhe nga 15 shtatori në 30 nëntor, mënyra e votimit, fletët e votimit, detyrat dhe të drejtat e vëzhguesve si dhe përcaktimi i dokumenteve me të cilat çdo zgjedhës mund të paraqitet ditën e votimit. Është sanksionuar në ligj tashmë që votimi do të bëhet vetëm me kartat e identitetit dhe pasaporta. Por ndërkohë mbeten ende pa zgjidhur çështjet më të debatueshme si listat zgjedhore apo ndarja e mandateve, të cilat janë ende në diskutim në tryezën e ekspertëve. Pak ditë më parë, bashkëkryetari demokrat i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Ilir Rusmali, pohoi se brenda 10 ditëve do të përfundojë dhe hartimi i neneve që kanë të bëjnë me këtë çështje. Por tashmë këtij komisioni po i vjen fundi i mandatit pas shtyrjes së parë të tij prej një muaj, dhe duket se gjithçka do të mbetet për t u zgjdhur në një mandat të tretë.
Ky lajm është publikuar: 24/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›