Të shoqëruarit e 21 Janarit, KiE “kontroll” në burgje
Trajtimi nga policia i protestuesve të shoqëruar pas ngjarjes së 21 Janarit në Tiranë, mësohet të ketë qenë në qendër të diskutimeve të ekspertëve të Këshillit të Europës. Së fundi, Shqipërinë e ka vizituar për tre diti një delegacion nga Komiteti Europian për Parandalimin e Torturës dhe të Trajtimit ose Dënimit Çnjerëzor. Sipas njoftimit zyrtar, mësohet se qëllimi i vizitës ishte intervistimi personalisht i atyre personave që janë ende në burgje dhe komisariate (35 në total), ashtu sikurse marrja e të dhënave nga burgu nr.302, ai nr.313 dhe disa komisariate të Tiranës. Në kuadër të vizitës, delegacioni ka zhvilluar takime konsultuese me ministrin e Brendshëm Lulzim Basha, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj dhe kryeprokuroren Ina Rama. Gjithashtu janë zhvilluar takime në zyrën e Avokatit të Popullit dhe në institutin e mjekësinë ligjore. Delegacioni i Këshillit të Europës përbëhej nga: Latif Huseynov (Azerbajxhan), Marija Definis-Gojanovic (Kroaci) dhe Michael Neurauter. Policia e Shtetit kreu qindra shoqërime nëpër komisariate dhe në drejtorinë e Policisë së Tiranës, menjëherë pas mbylljes së demonstratës së organizuar nga opozita më 21 Janar. Opozita ka pretenduar se protestuesit janë dhunuar nga uniformat blu, teksa janë shoqëruar nëpër dhomat e izolimit dhe më tutje. Disa eksponentë të Partisë Socialiste, mes të cilëve edhe shumë deputetë, u ankuan se nuk ishin lejuar nga policia për të vizituar të shoqëruarit nëpër komisariate, pavarësisht se ligji jua njeh këtë të drejtë.