Jep dorëheqjen anëtari i PBDNJ-it në KQZ, Jani Jani
Jep dorëheqjen edhe komisioneri i PBDNJ-së, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve Jani Jani.
Kjo është dorëheqja e tretë në KQZ pasdorëheqjes së dy anëtarëve të PS-së në KQZ Denar Biba dhe Albana Shtylla.
Disa ditë më parë, Jani “ngriu” marrëdhënien e tij me KQZ-në ndërsa sot, ai i ka dërguar një letër kryetares së KQZ-së Lefteri Lleshit ku i ka paraqitur edhe dorëheqjen e tij.
Ndërkohë, KQZ ka mbetur tanimë vetëm me 4 anëtarë pas dorëheqjes së 2 anëtarëve të propozuar nga PS-ja dhe anëtarit të PBDNJ-it Jani Jani.
Socialistët refuzojnë të paraqesin kandidaturat e tyre për vendet e mbetura bosh në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve pas dorëheqjes së dy anëtarëve të propozuar prej tyre.
Ata këmbëngulin se tanimë çështja e KQZ-së nuk është çështje emri por një çështje parimi të shkelur që ka cënuar procesin zgjedhor.
Ja letra e mëparshme e Jani Janit ku deklaronte se ngrinte marrëdhëniet me KQZ-në
Ngjarjet e ditëve të fundit që nisën me debatet për lirimin e një anëtari të KQZ-së dhe që u finalizuan me ndërprerjen e mandatit në mënyrë të kundraligjshme me dhunën e kartonave si edhe aktet e dorëheqjes së dy kolegëve të mi, me obligon të shpreh mendimin dhe qëndrimin tim si anëtar i KQZ-së. Kam pranuar me dëshirë detyrën e anëtarit të KQZ-së, vetëm e vetëm për të kontribuar në proceset zgjedhore. Kam besuar se ajo që shprehet në ligj nuk është e detyrueshme vetëm për ne, por edhe për politikën. Për fat të keq konstatoj, duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit se forca të caktuara politike dhe konkretisht mazhoranca aktuale haptazi ka ndërmarrë veprime që cënojnë pavaresinë e këtij institucioni duke shkelur ligjin. Dua të nënvizoj se për arsye të situatave të krijuara dhe në pritje të një reflektimi real, të dukshëm të politikës për të hequr dorë nga tentativat për të cënuar pavarësinë e ketij institucioni, si edhe në shenjë solidariteti me kolegët e mi, deklaroj ngrirjen e veprimtarisë time formale në KQZ”.
Gjithashtu anëtari i KQZ-së Jani ka vlerësuar aktin e dorëheqjes së dy kolegëve Denar Biba dhe Albana Shtylla si zgjedhje të drejtë të bindjes së tyre.