E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jep dorëheqjen drejtori i burgut, pas tentativës për arratisje të 4 të dënuarve

Drejtoria e përgjithshme e Burgjeve ka pezulluar nga puna shefin e sigurisë së burgut dhe pesë persona të tjerë

KRUJË Jep dorëheqjen nga detyra drejtori i burgut të Fushë-Krujës, Shkëlqim Kalemi, vetëm pak ditë pas një tentative të dështuar të katër të burgosurve për t’u larguar nga burgu ku edhe vuanin dënimin. Ndërkohë që me urdhër të Drejtorisë së Burgjeve janë pezulluar nga detyra shefi i sigurisë së burgut, Edmond Alimadhi, komisari Kujtim Lushaj, nënkomisari Hasan Ajazi, dhe tre inspektorë që punonin në këtë burg. Këto masa vijnë vetëm një javë pas tentativës së arratisjes nga burgu të Fran Marashit, Altin Kodrës, Gëzim Gjurit dhe Prel Vuçajt, të cilët u kapën në kohë nga ana e gardianëve dhe u ndaluan menjëherë. Sipas drejtorit Shkëlqim Kalemi, “kam paraqitur dorëheqjen në Drejtorinë e Burgjeve, ku edhe kam bërë me dije edhe arsyet në marrjen e këtij vendimi, të cilat nuk dua t’i bëj publike. Ndërsa për vartësit e mi unë nuk dua të flas, pasi vendimi nuk është dhënë nga unë. E rëndësishme për mua është moslejimi i largimit të burgosurve nga vendi i vuajtjes së dënimit, në kohë, dhe ndërhyrja shumë shpejt e efektivit që unë kam patur në vartësi”.

Të arratisurit

Tre nga katër personat që tentuan arratisjen kanë qenë të dënuar me burgim të përjetshëm. Tentativa e Fran Marashit, Altin Kodrës, Gëzim Gjurit dhe Prel Vuçajt, ka ndodhur pak pas mesit të natës të gjashtë ditëve më parë, në një kohë që binte shi. Të katër të dënuarit kanë sharruar hekurat e dritares së dhomës ku ishin vendosur, me tel diamanti, e më pas nëpër korridoret e burgut kanë vijuar lëvizjen duke tentuar të ngjiteshin në tarracën e njërës nga ndërtesat në skarën e tavanit, por që janë parë shumë shpejt nga rojet, të cilët i kanë ndaluar në kohë falë dhënies së alarmit. Ndërkohë që të burgosurit nuk kanë pranuar të jepnin detaje mbi planin e arratisjes, dyshohet se shkak i pezullimeve të punonjësve të këtij burgu është lënia në një qeli të katër të dënuarve, të cilët kishin masën e lartë të dënimit, ku tre prej tyre ishin me burgim të përjetshëm.

Arrestimi i gardianit

Tentativa e arratisjes së katër të dënuarve nga burgu i sigurisë së lartë të Fushë-Krujës është pasuar nga arrestimi i një gardiani. Petrit Selimi është arrestuar me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, pasi hetimet kanë treguar se ai nuk ka qenë i vëmendshëm në momentin që të katër të dënuarit kanë tentuar të arratisen. Në deklarimin e tij gardiani Petrit Selimi është shprehur se “nuk ka dëgjuar asnjë zhurmë në momentin që ai ka qenë me shërbim. Ndërsa ai ka kontrolluar në momentin e marrjes së shërbimit të gjitha dhomat që kishte nën ruajtje ai, për tetë orë nuk ka vënë re asnjë shenjë të prerjes së telave dhe asgjë të dyshimtë, që mund të mendonte për një arratisje të mundshme të katër të arrestuarve. Po kështu gjatë hetimeve Selimi është shprehur se “vetëm kur ka dëgjuar të shtënat me armë nga ana e kolegut të tij, ai ka kontrolluar menjëherë dhomat dhe ka vënë re edhe largimin nga dhoma e të katër të burgosurve. Ai është shprehur se në momentin e largimit nga dhoma i katër të dënuarve, nuk ka dëgjuar edhe për shkak të reshjeve të mëdha të shiut që binte në atë moment. Ndërsa ka deklaruar se vazhdimisht ka kontrolluar të paktën një herë në 30 minuta të gjitha dhomat e të burgosurve, por drita e dhomës së katër të dënuarve që tentuan arratisjen por edhe e dhomave të tjera kanë qenë të fikura dhe ishte e vështirë të shikohej me imtësi Sipas burimeve zyrtare, mësohet se Petrit Selimi e ka marrë detyrën në orën 22.00 dhe do ta dorëzonte në orën 6.00 të mëngjesit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›