PDR e Krujës braktis Genc Pollon
05/12/2004 PDR, dega Krujë, braktis Pollon dhe bashkohet me Lëvizjen Reformatore brenda kësaj partie, të kryesuar nga ish-sekretari i Përgjithshëm, Kreshnik Çollaku. Me anë të një deklarate për shtyp, kryesia e degës Krujë, dhe kryetari i saj Xhavit Gjata, i kanë konsideruar të paprincipta tentativat e kryetarit Pollo për bashkëpunim me PS-në. "Qevrisja e Nanos e ka zhytur vendin në varfëri të plotë, ndaj është e turpshme që disa drejtues të lartë të PDR-së tentojnë të bashkëpunojnë me Kryeministrin aktual", thuhet në deklaratën e kësaj dege. Nga ana tjetër, kryesia e PDR-së Krujë, duke parë mënyrën e drejtimit të partisë nga ana e krerëve të saj, deklaron ndarjen nga Pollo dhe bashkimin me Lëvizjen Reformatore brenda PDR-së. "Kryesia e PDR-së Krujë e vlerëson si staliniste klimën e përjashtimeve që ka nisur PDR karshi gjithë atyre që kërkojnë bashkëpunim me PD-në. Për këtë arsye të bindur se përfaqësojmë në mënyrë besnike vullnetin e anëtarësisë, elektoratit që na voton deklarojmë se mbështesim Lëvizjen e Reformatorëve Demokratë në PDR; për stabilizimin e standardeve demokartike në PDR", përfundon deklarata e kryesisë së degës së PDR-së Krujë. Pas deklarimit kundër rrymës të ish-sekretarit të përgjithshëm, Kreshnik Çollaku, ky është rasti i parë që një degë e PDR-së del kundër qëndrimeve të kryetarit të saj. Çollaku, i cili është në krye të lëvizjes, është shprehur gjithnjë për një bashkim të forcave mes të djathtës, ku synimi kryesor i tij ka qenë bashkëpunimi dhe aleanca me PD-në.