E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtyhet për vitin tjetër privatizimi i Telekomit

07/12/2004  Telekomi do të bëhet kompani privte vetëm vitin tjetër. Duket se ofertat e paraqitura nga kompanitë private do të zbardhen gjatë janarit të 2005-ës. Burime nga kompania e vetme e shërbimit telefonik fiks, tregojnë se interesi i huaj, megjithë reklamën e madhe, nuk ëstë ai i parashikuar. Para tri ditësh duhet të shpalleshin emrat e kompanive që kishin paraqitur interes për kompaninë shqiptare. Sipas të dhënave, janë rreth tetë kompani, por deri tani asnjëra nuk është bërë publike. Ndërsa zërat se për Telekomin do të konkurrojnë edhe lobingjet e bizneseve vendase, tashmë duket se kanë qenë të rreme. Zotimet e disa tregtarëve apo prodhuesve shqiptarë duket se e kanë patur cakun te privatizimi i hotel “Tiranës”. Për madhësinë e Telekomit, vështirë të gjenden apo të bashkohen 150 milionë dollarë të kompanive shqiptare.

Ministri i Transporteve, Poçi, theksoi se “në vitin 2005 tregu shqiptar i telekomunikacioneve do të liberalizohet plotësisht".

Sipas të dhënave, gjatë vitit 2005, Albtelekom do të investojë rreth 3.3 miliardë lekë për shtim të konsiderueshëm të kapaciteteve ekzistuese, shërbimeve të reja dhe përmirësimin e cilësisë. Këto parashikime që vazhdojnë të publikohen nga organe shtetërore, do të thonë se edhe për pjesën e parë të vitit tjetër, Telekomi do të vazhdojë të jetë nën komandimin e qeverisë.

Në mesin e muajit mars të vitit 2004, Albtelekom mori liçensën për fillimin e aktivitetit të shërbimit celular në vend, që do të konkurrojë në treg krahas kompanive AMC dhe Vodafone. Enti Rregullator i Telekomunikacioneve ka miratuar lejen e tretë celulare për kompaninë "Eagle Mobile", duke hapur kështu rrugën e implementimit të rrjetit të telekomunikacioneve të lëvizhshme, GSM nga Albtelecom Sh.a, sipas Planit të Biznesit të hartuar nga kjo kompani.

Kompania e tretë celulare, nëntë muaj pas marrjes së liçensës, ka deklaruar se po fillon instalimin e rrjetit të saj në Tiranë dhe Durrës, dhe do të jetë e pranishme në treg, në fillim të vitit të ardhshëm. Rreth 7.5 milionë euro është shuma në dispozion të kompanisë që do të fitojë tenderin për ndërtimin e rrjetit të telefonisë celulare. Kompania e tretë celulare në vend „Eagle Mobile“, që do të ketë prefiksin 067, pritet të operojë me tarifa më të ulëta se sa dy kompanitë e tjera, AMC dhe Vodafone. Për këtë arsye, prania e saj në treg po pritet me interes nga abonentët, të cilët vazhdojnë të paguajnë tarifat më të larta në Evropë. Sipas informacioneve, fillimisht do të ndërtohet centrali dhe rrjeti i mbulimit me sinjal të një zone të ngushtë, që fillon në Tiranë dhe mbaron në Durrës, duke përfshirë edhe Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit. Ky operator i ri synon të hyjë sa më shpejt në treg, pasi këtë e sheh si një avantazh në konkurrencë me dy operatorët e tjerë celularë. Në fazën e dytë parashikohet që, „Eagle Mobile“ të mbulojë rreth 30 për qind të tregut, duke u bërë kështu e barabartë me kompanitë e tjera që operojnë, aktualisht, në treg. Kjo është shkruajtur në planet e „Eagle Mobile“.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›