E Diel, 1 Nëntor 2026

Shembet shtëpia 200-vjeçare,3 familje në rrugë

20/12/2008  Ngjarja ishte paralajmëruar nga banorët

SHKODER- Shembja e një shtëpie pronarësh të vjetër ka lënë në rrugë të madhe tri familje, të cilat qëndronin të strehuara aty që në vitet e sistemit të kaluar. Paraditen e djeshme është shembur plotësisht çatia e banesës 200-vjeçare të njohur si ‘Shtëpia e Ulqinakëve” nga emri i pronarëve të vjetër të kësaj banese, të cilët nuk mundën ta gëzonin që pas vitit 1945, kur iu mor nga komunistët antipronar të asaj kohe. Fatmirësisht banorët e kësaj shtëpie e kanë parandier se çatia po shembet dhe kanë dalë përjashta duke shpëtuar nga tragjedia që mund t’i përfshinte. Dhjetë banorët e tri familjeve shprehen se kanë mbi 40 vjet që jetojnë në këtë shtëpi si qiraxhinj të futur nga pushteti i sistemit të kaluar. Ata kërkojnë nga bashkia që t’u zgjidhë problemin e strehimit të tyre, pasi janë në qiell të hapur. Banorët kanë akuzuar Bashkinë Shkodër, që sipas tyre edhe pse ishte në dijeni se në çfarë gjendje ishte shtëpia nuk i kanë gjetur strehim tjetër. Shtëpia është pronë e familjes Ulqinaku, të rikthyer në vitet e demokracisë. Ndodhet në qendër të qytetit të Shkodrës vetëm pak metra larg poliklinikës. Në pamundësi të gjetjes së ndonjë strehimi banorë e futur nga partia e punës kanë qëndruar në këtë shtëpi, e cila ka vite që është në këtë gjendje. Bashkia Shkodër ka strehuar këto familje në konviktin e shkollës së muzikës dhe ka kryer një relacion në lidhje me të gjithë ngjarjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›