E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani kambistëve: Zbusni efektet e kursit të këmbimit

07/02/2009  Këshilla për ligjin e pastrimit të parave

Qarkullimi i valutës në zyrat e këmbimit valutor ndikon në zbutjen e efekteve të zhvlerësimit të monedhës vendase. Ecuria e deritanishme e kursit të këmbimit të lekut me monedhën evropiane euron dhe me dollarin, sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, ka reflektuar kërkesën dhe ofertën duke eliminuar rrezikun e mospërputhjes së çmimit me kushtet makroekonomike në vend. Ditët e fundit ka pasur një zhvlerësimi të lehtë të lekut në krahasim me monedhat e huaja, që sipas ekspertëve të sistemit bankar do të ndikojë kryesisht në shtrenjtimin e kostos së kredive. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë zhvilloi dy ditë më parë një takim me përfaqësuesit e zyrave të këmbimit valutor. Ai theksoi se zyrat e këmbimit valutor kanë luajtur dhe luajnë një rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin dhe ecurinë e këtij tregu. “Mendojmë të trajtojmë veprimet që do t’i shërbejnë më mirë zbutjes së efekteve sezonale të sjelljes së kursit të këmbimit si dhe mbrojtjes ndaj lëvizjeve të padëshiruara të kursit të këmbimit”, - u tha Fullani përfaqësuesve. Në vendin tonë zbatohet regjimi fleksibël i kursit të këmbimit gjë që do të thotë se janë forcat e tregut ato që përcaktojnë nivelin e tij. “Sjellja juaj ka ndihmuar që në këtë çmim, të reflektohet në mënyrë të vazhdueshme kërkesa dhe oferta për këtë mall”, - theksoi Fullani. Në vazhdim, ai u ndal në rolin e Bankës së Shqipërisë për të ofruar programe ose paketa specifike trajnimi rreth produkteve që mund të tregtohen në tregun e brendshëm valutor. Gjithashtu Fullani kërkoi zbatimin e ligjit për pastrimin e parave. “Faktorët strukturorë të ekonomisë shqiptare e bëjnë të nevojshme ekzistencën e një pjese të tregut valutor në formën e cash-it. Banka e Shqipërisë e sheh ketë rol në funksion të pozicionimit tuaj si ndërmjetës të rëndësishëm midis veprimtarisë në cash dhe asaj që zhvillohet në sistemin bankar. Nuk do të lija pa përmendur edhe detyrimin që ju keni, në drejtim të zbatimit me rigorozitet të ligjit për pastrimin e parave”, - tha Fullani. Prej vitit 2000, numri i subjekteve që kryejnë veprimtarinë e këmbimit valutor është 10 – fishuar. Banka e Shqipërisë ka emetuar 227 licenca për zyra të këmbimit valutor.

Borxhi tatimor

Amnistia fiskale e miratuar vitin e kaluar parashikon falje të pjesës dërrmuese të borxhit që bizneset e ndryshme kanë ndaj administratës tatimore. Ky borxh, sipas të dhënave zyrtare të kësaj administrate, llogaritet në rreth 40 miliardë lekë, nga të cilat 30 miliardë lekë janë gjobat dhe kamatëvonesat që pritet të falen, ose të fshihen nga rekordet zyrtare, nëse pjesa tjetër prej 10 miliardë është detyrimi bazë që do të paguhet nga bizneset.

Borxhi doganor

Borxhi i biznesit kundrejt administratës doganore arrin në 5 miliardë lekë të reja, ndërsa ata janë të detyruar të paguajnë principalin që arrin në vlerën e 2.5 miliardë lekë. “Nga rreth 9 miliardë lekë që është në total borxhi, do të falet 75 për qind e tij. Bizneset që përfitojnë përgjysmë, duhet të paguajnë detyrimet bazë dhe do t’iu falen gjobat dhe kamatëvonesat”, - ka deklaruar pak kohë më parë kreu i Doganave, Dervishi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›