Jepini diasporës të drejtën e votës!
09/02/2005 1.Jo letërsi, por inxhinieri politike!
Ka vetëm pak ditë që në media u shfaq përsëri ideja për të bërë të mundur që emigrantët ose pjesëtarët e diasporës, sigurisht ata me nënshtetësi shqiptare, të kenë të drejtë të marrin pjesë në votime.
Pa ngurrim mund të thuhet se është një nga idetë më të rëndësishme dhe të guximshme të paraqitura së fundmi në tregun e propozimeve elektorale dhe, nëse realizohet, me siguri që ajo do të sjellë ndofta ndryshimin politik më të spikatur në këto vite të para të shekullit të ri.
Nga pikëpamja kombëtare do të kishte ndodhur një ngjarje thelbësore.
Vullneti politik i përgjithshëm nuk do të përfaqësohej vetëm nga qytetarët që jetojnë brenda territorit kombëtar të Republikës së Shqipërisë, por nga të gjithë ata që mbajnë lidhje shpirtërore, zyrtare, politike dhe administrative me bashkësinë e tyre të origjinës, pra zotërojnë, veç tipareve të tjera kombëtare, edhe nënshtetësinë shqiptare. Kështu, vullneti politik elektoral nuk do të shprehej ngushtë vetëm në varësi të faktit territorial, por do të manifestohej si vullnet politik ideal, autonom, i mbartur kolektivisht nga e gjithë bashkësia e qytetarëve shqiptarë, pavarësisht faktit empirik, material, hapësinor, do të thoshim vulgar, të vendndodhjes së tyre.
Fakti që shteti dhe sovraniteti i tij ushtrohet gjithmonë brenda një territori të caktuar nuk pengon aspak për të bërë të mundur që vullneti politik i qytetarëve të lirë të shprehet duke marrë një shtrirje të pakushtëzuar në hapësirë. Ai është një vullnet abstrakt politik, i cili, sikurse vetë shpirti individual, nuk mund të kufizohet në hapësirë. Tjetër është mundësia e ushtrimit të sovranitetit – gjithmonë hapësinore dhe territoriale, dhe krejt tjetër e drejta e shprehjes së vullnetit politik – që shoqëron qytetarin e një shteti, pavarësisht nga vendi ku ndodhet.
Vetë ideja e shtetit, e sovranitetit popullor, e përgjegjësisë qytetare, e patriotizmit, e shqiptarizmit do të merrte një përmasë shumë më të gjerë. Qytetari shqiptar do të ishte i ndërgjegjshëm, kudo që punon dhe jeton me familjen e tij, apo vetëm, në Athinë, Romë, Boston, Dortmund, Bruksel a gjetiu, se vazhdon të mbetet politikisht aktiv në vendin e tij, se vazhdon të jetë subjekt individual që bart sovranitetin e shtetit shqiptar dhe se, në fund të fundit, Shqipëria mbetet për të jo thjesht një realitet i dashur, por i largët, të cilit s’ka ç’t’i bëjë, por një shtet, për të cilin ka përgjegjësi, ka detyrime, ka të drejta dhe se me votën e tij mund ta ndryshojë.
Deri këtu duket se nuk ka asgjë të keqe dhe filozofikisht problemi paraqitet fare i qartë. Mirëpo, heshtja që e shoqëroi rihedhjen në opinionin publik të vendit të kësaj ideje, duket shqetësuese.
Si është e mundur që një propozim i tillë politik, me peshë mijëra herë më të madhe dhe serioze se çdo rregullim territorial i zonave elektorale, ku luhet cic-mic për votën e pesë apo dhjetëmijë vetëve, të mbulohet me një heshtje mediatike pothuajse të plotë ?
Frazat e vockla vrastare të shprehura nga politikanë të ndryshëm, ngjarjet politike të dorës së dytë a të tretë, veprime politike që s’çojnë asgjëkund dhe nuk bëjnë veçse ripërsërisin atë që është stërthënë dhe stërdëgjuar, ndofta e pengojnë marrjen dhe fokusimin e mediave me një çështje kaq kapitale për fatet e politikës shqiptare, sikurse është edhe dhënia e së drejtës së votës për emigrantët apo për individët e diasporës që kanë nënshtetësi shqiptare.
Po të ishte vetëm kjo arsyeja, sadoqë e trishtët, përsëri do të thoshim se jemi përpara një mangësie profesionale në media, por jo më shumë. Problemi, sidoqoftë, na duket më serioz sesa kaq. Dhënia e së drejtës së votës për emigrantët është e kuptueshme që krijon kokëçarje për nëpunësit që nuk kanë as vizione politike, as imagjinatë krijuese apo kompetenca profesionale. Ndërkaq, ndofta edhe individë të ndryshëm që merren me politikë, deputetë, ministra, kandidatë të ardhshëm për deputetë etj., s’e kanë fare hallin se çfarë bëhet me demokracinë tonë kombëtare, por i kanë zënë ethet për elektoratin e tyre që jeton këtu apo aty nëpër qytetet dhe fshatrat e vendit dhe që kanë kohë pa e parë me sy. Kjo heshtje vjen, sipas meje, edhe për faktin se emigrantin që ka ikur për të punuar në dhè të huaj nganjëherë s’ka se kush e përkrah këtu në vendin e tij. Qui va à la chasse perd sa place – thotë një proverb i vjetër francez. (Kush shkon për gjueti, e humb vendin e vet pranë zjarrit – po të bënim një përkthim të përafërt).
Kontributin ja duam, të drejtat s’ia japim.
Këtë lloj qendrimi ndaj emigrantëve dhe diasporës, mbëshetur në këtë paradoks që nga njëra anë iu njeh atyre ndihmesën për futjen e të ardhurave financiare dhe kulturore kolosale në vend dhe nga ana tjetër nuk iu njeh të drejtat politike që iu takojnë me ligj, në librin tim të fundit Shoqëria Periferike, botuar nga shtëpia botuese «Ora» e Besnik Mustafajit, e kam quajtur me plotë gojën si një hipokrizi e pastër dhe demagogji të turpshme.
Ndiej qysh tani zëra analistësh, që do të ngrenë kore për të kënduar argumente nga më të çuditshmit dhe për të thënë atë që bëjnë vazhdimisht : «Ideja është e mirë, por…».
Për këtë arsye, shkrimin tim do ta ngre, sikurse thoshte Karl Popperi, në mënyrë negative. Do të nisem nga kritika të mundshme që mund t’i adresohen propozimit për t’i dhënë të drejtën e votës diasporës dhe do të mundohem të tregoj se ato nuk kanë asnjë bazë.
2.Analiza e vullneti politik
Analisti kritik mund të thoshte : «Mirë e ke ti mor vëlla, po ku ka vullnet politik për të bërë këtë ndryshim kaq të madh në Shqipëri. Klasa jonë politike është kështu dhe është ashtu…».
Unë do të përgjigjesha: Le t’i lëmë mënjanë këto qarje e lotë krokodili. T’i përdorim ndonjëherë tjetër, kur të kemi kohë të lirë në ndonjë kafene buzë detit, apo anash Lanës për të bërë cirkun apo kinemanë e radhës. Tani kemi ardhur në një situatë konkrete dhe duhen kërkesa konkrete. Qytetarit një herë i vjen rasti për t’iu kërkuar diçka të prerë politikanëve dhe këtë rast nuk duhet ta humbim duke qarë.
Kush do le të qajë, por pak më vonë.
S’është koha për letërsi politike, por për inxhinieri politike.
Situata politike është farë e qartë dhe konkrete.
Shtypi para pak ditësh na njofton se me të ardhur nga ShBA–ja drejtuesi i PD, zoti Sali Berisha, formuloi idenë e dhënies të së drejtës së votës për emigrantët dhe diasporën me nënshtetësi shqiptare. Kuptohet se ai tani është i detyruar t’i shkojë propozimit të tij shumë racional dhe emancipues deri në fund, duke marrë iniciativën përkatëse parlamentare që duhet të mbarojë me një proces votimi.
I këtij mendimi u shfaq edhe drejtuesi i republikanëve, Fatmir Mediu.
As nuk na shkon ndërmend që drejtuesi i LZHK–së, zoti Leka Zogu, pasi ka vuajtur mbi supet e tij dhe për disa dekada fatin e keq të emigrantit politik, të ngrihet kundër vetes së vet dhe kundër grupeve shoqërore brenda dhe jashtë vendit, që i besojnë moralisht dhe politikisht, duke mos u shprehur për t’i dhënë të drejtën e votës diasporës.
Ja ku dolëm në një llogari të thjeshtë që na bën të shpresojmë se e gjithë opozita e djathtë, për aq sa është, në parlament, nuk ka përse të mos jetë si një trup i vetëm për të votuar pozitivisht që emigrantëve dhe diasporës, në votimet e ardhshme parlamentare, t’iu jepet e drejta legjitime e votës.
Analiza bëhet më e qartë edhe për deputetët e LSI-së në parlament. Zëdhënësi i kësaj partie ka bërë përpara pak ditësh një gabim të pafalshëm komunikimi me pasoja të rënda dhe që drejtuesi i partisë, zoti Ilir Meta, kam bindjen e plotë se do ta vërë në vend.
Zëdhënësi partiak citohet të ketë thënë pak a shumë se ringritja e kësaj çështjeje tani është diçka hipokrite. Ndofta ka menduar se s’ka më kohë për ta bërë këtë reformë të rëndësishme. Nëse është ky argumenti, atëherë mund të thuhet se zëdhënësi në fjalë ka një koncept të gabuar politik për kohën. Kohën politike s’e caktojnë burokratët e përgjumur që duan kohë të kenë kohë. Kohën politike e përcaktojnë bartësit e pushtetit, përfaqësuesit e tyre, deputetët që i vënë nëpunësit përpara një zgjedhjeje fare të thjeshtë dhe të prerë: «Ose merrni përsipër të realizoni detyrat, ose largohuni, zotërinj, ka të tjerë që e bëjnë më mirë dhe më shpejt se ju atë që po ju ngarkojmë si detyrë».
I zoti e jep tellalli s’e shet – i thonë kësaj.
Ilir Meta ka meritën e pamohueshme se ndofta ishte i pari që e ngriti, pavarësisht faktit se pastaj, siç duket mbasi nuk gjeti mbështetje, e la në mes këtë propozim. Pra, nuk ka arsye që deputetët e partisë së tij të dalin kundër dhënies të së drejtës së votës për diasporën, ndërkohë që drejtuesi i partisë e ka deklaruar qëndrimin e tij dhe ia ka premtuar këtë ballazi vetë emigrantëve shqiptarë jashtë vendit.
Me sa i njoh të dy palët, shpresoj se as emigrantët s’e harrojnë lehtë atë që iu thua as Ilir Meta s’është nga ata që e kthen kollaj fjalën e dhënë.
Por, as Partia Socialiste nuk ka interes të votojë kundër këtij propozimi, por përkundrazi ka shansin ta përqafojë sa më shpejt atë.
Sociologët socialistë ose socialistët sociologë duhet të shpjegojnë në parti se iniciativa paraqitet interesante dhe për ta. Të paktën ajo që do të mund të fitojnë duke e përkrahur është shumë më e madhe sesa rreziku elektoral që do të vinte duke e kundërshtuar.
Më së pari, ideologjia e Partisë Socialiste këto kohë ka mbështetur idenë se ajo është për hapjen dhe globalizimin.
Ja ku është globalizimi – do t’iu thoshim sociologëve socialistë.
Ja ku janë shqiptarët që luftojnë globalisht nëpër botë, duke i bërë ballë një konkurrence të egër të përbotshme.
Jepuni atyre të drejtën e votës, në mënyrë që edhe vullneti politik i qytetarëve të Shqipërisë të shprehet globalisht dhe në përputhje me kushtet globale.
Ose ndërmerret ky hap, ose, përndryshe, do të dalë hapur në shesh se fjalët për globalizimin nuk janë veçse flluska sapuni, që i fryn ndokush i ulur mbi rroga dhe subvencione shtetërore dhe i mbrojtur si filistin nga çadra lokale, izolacioniste e administratës shtetërore.
Themi se duam të luajmë globalisht – ja ku është sheshi i lojës.
Sociologët socialistë duhet të shpjegojnë gjithashtu se nuk ka asnjë shenjë që të na tregojë se opozita ka në emigracion më shumë partizanë që do të votojnë për të sesa mund të ketë partia në pushtet. Nga vëzhgimet e mia në Greqi, Itali, Francë, Belgjikë a gjetiu, kam gjetur kudo edhe ithtarë luajalë të zotit Berisha edhe partizanë të thekur të zotit Nano. Pra, loja mbetet e hapur dhe askush nuk bën dot llogari elektorale që pastaj të ketë justifikimin e nëndheshëm se për shembull Partia Socialiste nuk do që të japë të drejtën e votës për emigrantët, sepse e di që atje s’ka mbështetje.
S’i dihet, që andej mund të vijë edhe fitorja.
Provojeni një herë.
Sociologët socialistë e kanë gjithashtu për detyrë të shpjegojnë në forumet e tyre partiake se mospranimi i të drejtës së votës për emigrantët do të kishte pasoja në Jug të vendit dhe në zonat minoritare, të ndjeshme ndaj bijve në emigrim dhe të lidhur fort me emigracionin.
Kush do të mund të kalonte pastaj nëpër sheshit Omonia të Athinës, nëse do të mbante vulën e njeriut që ishte shprehur kundër dhënies të së drejtës së votës për emigrantët?
Është fjala për të votuar atje ku janë, sepse për të ardhur për të votuar këtu, pas një telendisjeje të turpshme nëpër rrugë, askush s’ka fuqi t’i pengojë.
Këto llogari më bëjnë të shpresoj fort se propozimi ligjor për të bërë këtë amendament në ligjin elektoral do të kalojë si thika në gjalpë dhe do të sjellë një dhuratë politike shumë të çmuar për shqiptarët në ketë prag fundi të ciklit të tanishëm politik.
Si mund të mos jetë dakord Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, kur ai ka kohë që po flet për diasporën, për rolin e saj, duke kërkuar edhe një ministri për të?
As kjo gjë s’ka mundësi të ndodhë.
Koha ka ardhur tamam.
Por, propozuesit duhet të nxitojnë.
Në politikë, thoshte ai i vjetri, edhe një minutë mund të ketë vlerën e një shekulli.
Humb ose fiton.
3.Përvoja e praktikës ndërkombëtare
Dëgjoj nga larg gjëmimin e analistit kritik që më thotë: «Po, ke të drejtë ti mor vëlla, po bie fjala në Kamerun, në Togo, a ku e di unë tjetër kjo e drejtë nuk jepet». Kot i mora si shembull këto vende të bukura, sepse nuk kam pasur ende kohë të studioj se çfarë bëhet atje. Puna është se disa njerëz shembujt ndërkombëtarë për të ndjekur i zgjedhin gjithmonë andej nga ndodhet e papërkryera dhe e paplota.
Rëndësia në fakt ka tjetër gjë.
Vendet demokratike të Botës dhe të Evropës ia kanë akorduar përgjithësisht me kohë këtë të drejtë emigrantëve të tyre. Po të shohim me kujdes legjislacionin e vendeve të Perëndimit, por edhe të shumë vendeve të Lindjes, aspak më të përparuara politikisht sesa ne, do të vemë re se diasporat dhe emigrantët me nështetësinë përkatëse kanë të drejtë të votojnë për ndërtimin e vullnetit politik të kombit mëmë.
Pra, çështja nuk shtrohet aspak në mënyrë llafollogjike, por konkrete.
Dëshirojmë të kemi zgjedhje në përputhje me standardet ndërkombëtare?
Kemi thënë se në një kuptim të caktuar më shumë ka rëndësi organizimi dhe mbarëvajtja e zgjedhjeve sesa vetë rezultati i tyre?
Ja tek e kemi sheshin e zbatimit të këtyre parullave politike dhe propagandistike:
Të japim të drejtën e votës për emigrantin dhe diasporën.
Besoj se edhe specialistët dhe këshilltarët politikë të ambasadorëve perëndimorë apo të delegacioneve të organizmave politike ndërkombëtare të akredituara në Shqipëri e dinë mirë se në këtë rast nuk flitet për ndonjë utopi politike, si ato të Tomas Morit, por thjesht për diçka fare rutinë, fare normale, fare të ezauruar nga pikëpamja e filozofisë politike dhe e së drejtës.
Sigurisht që çdo vend ndjek praktikat e tij. Për shembull, para pak ditësh, me rastin e zgjedhjeve parlamentare në Irak, votuan edhe qytetarët irakenë të ndodhur në Perëndim. Me organizimin e tyre në Evropën Perëndimore u anagazhuan fort edhe institucionet ndërkombëtare, që merren me emigrimin që punuan lidhur ngushtë me qytetarë irakenë në Perëndim, të cilët vullnetarisht e konsideruan këtë aksion politik si kontribut për stabilizimin e institucioneve të vendit të tyre. Në Kanada e drejta për të votuar për qytetarët që ndodhen jashtë vendit iu jepet atyre që nuk kanë më shumë se dy vjet që janë larguar nga vendi. Në Francë nuk ka të tilla afate, por regjistrimi i emigrantëve bëhet pranë komunave të vendbanimit të tyre përpara ikjes. Emigrantët mund të votojnë me prokurë. Portugezët jashtë atdheut të tyre votojnë nëpër qendra votimi që i kanë pranë vendeve të tyre të banimit në emigrim.
Praktika të tjera ndjek shteti belg, spanjoll, italian, rumun etj.
Sidoqoftë, pavarësisht specifikave, është e njohur dhe e pranuar botërisht e drejta e disaporës për të votuar.
Sigurisht që edhe në këto vende ka ende debate dhe kundërshti të ndryshme lidhur me realizimin e kësaj të drejte. Por këto çështje zgjidhen më pas. Në fillim ne kemi nevojë urgjente për ta marrë vendimin në parim, kurse për anët juridike dhe administrative, ekspertët nuk do ta kenë vështirë të gjejnë më të mirën për ta adoptuar nga legjislacioni ndërkombëtar dhe ai i vendeve të tjera.
Kështu për shembull debatohet lidhur me çështje si:
Nëse emigrantët duhet të regjistrohen në lista lokale të vendit, duhet të vijnë të votojnë në vend, apo mund të formojnë një zonë elektorale më vete?
Kush do të quhet individ emigrant që ka të drejtën e votimit?
Si do të regjistrohen në lista votuesit në mënyrë që të mos ndodhen të regjistruar në disa vende njëherësh?
Po klandestinët a mund të votojnë?
Rezultatet e votimit të emigrantëve do të shkojnë për t’iu bashkëngjitur cilës zonë elektorale?
Çfarë dokumentesh të shtetit amë dhe të vendit pritës duhet të ketë emigranti për të pasur mundësine për t’u regjistruar në listat elektorale të diasporës?
Të gjitha çështjet e mësipërme qendrojnë, por për ato tashmë ka përvoja të përpunuar përgjigjesh të dhëna nga vende të tjerë. Nuk është e thënë që ato të zgjidhen qysh në fillim në mënyrë perfekte. Pas një përvoje të parë, vitet e ardhshëm do të bëjnë të mundur që legjislacioni të përmirësohet dhe të bëhet më i përshtatshëm.
Rëndësi ka të fillohet.
Nuk kemi për të bërë asgjë tjetër, veçse të kopjojmë nga më të mirët, duke mbajtur mirë parasysh specifikat tona konkrete.
4.Realizimi i një detyrimi shtetëror
Por, ja, na del analisti kritik dhe na thotë: «Po shteti, mor shpirt, nuk ka detyrim të ndjekë nga pas ata që dëshirojnë të bredhin nëpër botë. Kush dëshiron të votojë le të rrijë këtu ose le të vijë këtu për të votuar».
I themi se përsëri e ka gabim.
Ditë e natë.
Shteti shqiptar ka përgjithësisht një legjislacion të standardeve demokratike kur vjen puna për shpalljen dhe garantimin e të drejtave politike të qytetarëve. Cilido qytetar shqiptar ka të drejtë të zgjidhet dhe të zgjedhë lirisht përfaqësuesit e tij politikë brenda disa kushteve juridike të përcaktuara. Për më shumë, në filozofinë politike dhe juridike ndërkombëtare, e drejta e votës konsiderohet si nga themelet më të rëndësishme, ndoshta më i rëndësishmi, për sa i përket ndërtimit të sistemit të lirive politike demokratike. S’ka qytetar të lirë pa të drejtën e votës. Nuk ka institucione demokratike, kur një pjese të konsiderueshme të popullsisë nuk i garantohet e drejta e votës.
Në Kushtetutën shqiptare nuk ka të tilla ngushtime ligjore, që do të ishin tepër fatkeqë, sipas të cilave qytetari do të kishte të drejtë të votonte, por me kusht që të ndodhej brenda territorit të shtetit shqiptar ditën e votimit!
Është e qartë se ekziston një çarje jo e vogël juridike dhe parimore midis korpusit kushtetues të të drejtave politike të qytetarit dhe ligjit elektoral në fuqi, i cili nuk është asfare në nivelin që e kërkon Kushtetuta. Në këto raste, dihet edhe nga nxënësit e gjimnazit që bëjnë tema të edukimit qytetar, se Kushtetuta është parësore përballë ligjit elektoral. Nuk është Kushtetuta që mund të ngushtohet në hapësirat e lirive politike që akordon për qytetarët brenda kufijve të ligjit elektoral. Përkundrazi është ligji elektoral që duhet të rishkruhet sipas gërmës dhe frymës së neneve të Kushtetutës.
Parë nga pikëpamja e këtij raporti Kushtetutë–Ligj elektoral, mund të themi se mosdhënia deri tani e së drejtës për të votuar emigrantëve ose anëtarëve të diasporës me nënshtetësi shqiptare përbën një shkelje kushtetuese që deri tani mund të tolerohej, por jo pafundësisht.
Nëse deri tani kjo çështje nuk është ngritur, përsëri do të thosha se për këtë ka ndikuar fakti që vetë të interesuarit kanë qenë larg, krimbur në halle, të preokupuar deri në fyt me problemet e integrimit të tyre në shoqërinë pritëse.
Mirëpo, pasi kanë kaluar dhjetë a pesëmbëdhjetë vjet nga hapja demokratike e Shqipërisë, në mënyrë të natyrshme kanë ndodhur së paku dy ndryshime sociologjike tepër të rëndësishme.
Ndryshimi i parë ka të bëjë me faktin se brezi i parë i emigrantëve tashmë është stabilizuar disi në vendin pritës. Jo se ata jetojnë në luks, krejt përkundrazi, por për faktin se një pjesë e madhe e tyre kanë dalë së paku nga ajo që quhet zonë e urgjencës dhe e mbijetesës. Po ashtu sikurse kërkojnë të drejta politike dhe ekonomike në dhè të huaj, syri i tyre kthehet tashmë edhe nga vendlindja, duke pretenduar ato të drejta që ia u njeh vetë ligja. Por, ndërsa atje larg në dhè të huaj këto të drejta ata i lypin nga të huajt, këtu në vendin e tyre ata i kërkojnë nga vëllezërit dhe motrat e tyre, nga njerëzit e një gjaku.
Ndryshimi i dytë i madh sociologjik, ka të bëjë me faktin se një pjesë e madhe diasporës shqiptare në dhè të huaj, aty nga fillimi i viteve ’90 shihej me një lloj ftohtësie nga një pjesë e madhe e popullsisë së vendit. Në pjesën më të madhe, ata ishin njerëz që kishin ikur prej kohësh nga Shqipëria, disa edhe në rrethana politike të diskutueshme, dhe prej mëse një gjysmë shekulli nuk kishin mundur ta vizitonin Shqipërinë e izoluar nga bota. Akordimi i së drejtës së votës për ta asokohe dukej si diçka që lejonte dikë që padrejtësisht konsiderohej «i huaj» të fuste hundët në punët e shqiptarëve të Shqipërisë të edukuar me ksenofobizëm. Por, kohët ndryshuan shumë shpejt. Pjesa më e gjallë dhe më e rëndësishme e diasporës tani janë emigrantët e ikur së fundi. Ata nuk janë më «të huajt» e dikurshëm. Për më shumë në vendet pritëse ata ranë në kontakt me diasporën e vjetër dhe në vend të «të huajve» panë njerëz të edukuar, shqiptarë të vërtetë, burra e gra fisnike, të përmallur për vendin e tyre, në hall për bashkëpatriotët e tyre, pa asnjë shpirt hakmarrjeje, të emancipuar, ngushëllues.
Të akordosh votën për diasporën tani është një çështje nderi dhe dinjiteti për shqiptarin e Shqipërisë dhe për përfaqësuesin e vet politik.
Frikërat, ftohjet, mosbesimet kolektive, janë tashmë krejt të tejkaluara.
Ora ka ardhur.
«Po pse pas do t’i ndjekë shteti njerëzit?», nuk rresht duke më thënë në vesh analisti kritik kokëshkëmb.
S’është ndonjë pyetje e zgjuar. Tregon vetëm padijen e atij që e bën. Duhet falur.
«Po, do t’i thoshim, në një farë mënyre shteti demokratik i ndjek nga pas votuesit, duke iu krijuar kushtet për të shprehur vullnetin e tyre pa i cënuar në projektet jetësore që kanë».
Në shumë e shumë shtete demlokratike të Perëndimit dhe të Lindjes njihet edhe e drejta e votës me prokurë, që mund të zbatohet edhe për raste që te ne do të dukeshin qesharake. Një mik i huaj më thoshte se do të votonte me prokurë, sepse për ditën e votimeve kishte prenotuar prej kohësh hotelin dhe avionin për të shkuar me pushime diku larg. Ligji ia lejonte që duke paraqitur në prefekturë dokumentet e prenotimit të hotelit të votonte, duke ia dhënë votën e tij me prokurë dikujt që ta hidhte ditën e caktuar në kutinë e votimit.
Këtu nuk ka asgjë të re as edhe në planin administrativ. Është fare e ditur se ambasadat dhe konsullatat shqiptare jashtë vendit kryejnë një sërë shërbimesh administrative për emigrantët shqiptarë që ndodhen në territorin e shtetit ku janë akredituar. Ja pra se si në këtë rast shërbimet e shtetit ndjekin qytetarin dhe nuk i thonë: «Shko në Shqipëri për të marrë një çertifikatë të caktuar». Dihet pastaj se, sado që zgjedhjet në periudhën totalitare s’ishin as të lira dhe as të fshehta, përsëri, në atë kohë qytetari, që ndodhej në tokë të huaj, votonte, në përfaqësinë diplomatike, në anije tregtare a kudo që të ishte.
Ndjej analistin kritik që vazhdon në programin e tij: «Mirë mo mirë po këta po i vjedhin votat këtu dhe jo andej jashtë». Edhe kjo vërejtje ka një përgjigje.
Në fillim të thjeshtë, pastaj edhe më të ndërlikuar.
E thjeshta: Po kur akordimin e së drejtës për të votuar për diasporën e kërkon vetë opozita që është pikërisht ajo që mund të ankohej për manipulime elektorale, kush tjetër mund t’i kundërvihet asaj?
Ndërkaq, ka edhe një përgjigje më profesionale. Në Perëndim, lidhur me mbarëvajtjen e procesit elektoral, mund të ngarkohen përfaqësuesit zyrtarë të shtetit shqiptar, përfaqësues të organizmave ndërkombëtare, si edhe përfaqësues të partive politike që janë emigrantë atje. Asnjë shpenzim të papërballueshëm nuk do të kishte. Aq më shumë se në mjaft vende ndihmesë për të ruajtur rendin në rrethinat jashtë ndërtesave jep edhe policia vendase.
5.Pesha politike e diasporës
Zgjidhja përfundimtare e çështjes së të drejtës së votës për diasporën shqiptare bëhet edhe më urgjente, po të mbahet parasysh se çfarë peshe demografike dhe roli ekonomik dhe shoqëror luan ajo aktualisht për fatet e kombit.
Paradoksi është i qartë: kombe të mëdhenj kanë si rregull diasporë të vogël në numër, kurse kombe më të vegjël numerikisht kanë diasporë më të madhe dhe me peshë specifike më të madhe.
Një pjesë e popullsisë më të gjallë punëtore dhe intelektuale të vendit ndodhet jashtë. Asaj i është njohur zyrtarisht kontributi jashtëzakonisht i madh financiar dhe ekonomik e kulturor, me qëllim që vendi të kalojë këtë fazë të vështirë ekonomike. Nuk do të kishte fare vend që t’i mohohej e drejta politike bazë, ajo që ia njeh Kushtetuta, e drejta për të votuar. Ka shumë tregues që dëshmojnë se emigrantët paguajnë edhe taksa të ndryshme të tërthorta për të mbajtur administratën e shtetit shqiptar. Atëherë për rrjedhojë kanë edhe të drejtë t’i kërkojnë asaj disa shërbime politike.
Dëgjoj analistin kritik që thotë me zë të ulët: «Mirë mor shok, por puna është se emigrantët kanë kohë që kanë ikur dhe nuk i njohin hallet e vendit. ǒne të votojnë ata?».
Shokut i ka ngelur ora te koha e komunikimit me flamuj ose e shumta me radiotransmetuese telegrafike, nga ato që përdornin diversantët nëpër pyje në filmat shqiptarë.
Interneti e ka kthyer planetin në një fshat global. Emigrantët dhe diaspora janë nga leximtarët më të mëdhenj të gazetave shqiptare. Fakte që një shqiptar i Shqipërisë i kalon fare pa i vënë re, një emigrant t’i numëron një e për një. Të larguar nga vendi realisht, ata kthehen në problemet e tij virtualisht dhe në detaje. Njohin dhëmbë e dhëmballë politikanët dhe partitë. Kanë analiza të forta dhe të thella. Ndiqni forumet elektronike të bisedave midis emigrantëve dhe do të shihni se sa me pjekuri, thellësi, por dhe ndonjëherë mllef, debatojnë ata për problemet e vendit. Kanë edhe propozime, iniciativa dhe projekte. Ndiqni komentet që ata iu bëjnë shkrimeve të analistëve shqiptarë të shtypit dhe do të shihni se ata janë sy e veshë ngritur për të kapur çdo sinjal dhe për të reaguar për çdo gjë që iu pëlqen ose nuk iu pëlqen.
Televizioni satelitor e ka bërë edhe më të lehtë punën, sepse analizat e diasporës mbështeten tanimë jo vetëm nisur nga shkronja, por edhe nga figura.
Emigrantët e njohin mirë jetën ekonomike të vendit, sepse duhet të bëjnë llogari të sakta për paratë që do t’iu dërgojnë të afërmve të tyre në Shqipëri kur ata janë në vështirësi.
Kush më mirë sesa emigrantët dhe diaspora shqiptare në Evropën Perëndimore e njeh modelin ekonomik, social dhe politik ku dëshiron të shkojë vendi?
Nuk e njohin nëpërmjet tekstesh të vjetër ekonomie politike, por në lëkurë.
Kush më mirë se shqiptarët e diasporës do të gjykonte alternativat integruese dhe globalizuese të politikanëve shqiptarë?
Kush më mirë se ata do të ndante shapin nga sheqeri, duke gjetur se cilat nga ato janë përralla me mbret dhe cilat janë alternativa serioze në planin politik?
Shenjat po duken qartë. Me vonesën e jashtëzakonshme që ka marrë procesi i integrimit evropian i vendit, siç duket vendimin për vende si Shqipëria, që ato të bëhen pjesë e Evropës së Bashkuar, nuk do ta marrin politikanët, por qytetarët e çdo vendi evropiano-perëndimor me anë referendumesh. Pra, ka gjasa të mëdha që ky akt pranimi të mos jetë vepër e një racionaliteti të thjeshtë politik, por gjendje humori elektoral dhe e opinionit publik evropian në një çast të caktuar.
Në këto rrethana, Shqipëria do të kishte nevojë jetike për «ambasadorë» të mesazhit të saj nëpër lagje, fshatra, qytete të mëdhenj e të vegjël evropiano-perëndimorë.
Kush do ta bënte më mirë sesa emigrantët këtë punë?
E si mund t’iu kërkohet atyre ky shërbim, nëse nuk iu jepet një e drejtë politike që iu takon me ligj.
Emigrantët dhe diaspora ka nevojë për Shqipërinë.
Por, edhe Shqipëria ka nevojë për bijtë dhe bijat e saj të diasporës.
Jepuni pra atyre të drejtën e votës!