Prezantohet Strategjia e Shërbimeve Sociale
09/02/2005 U prezantua dje Strategjia e Shërbimeve Sociale. Nën drejtimin e ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, Engjëll Bejtaj, u organizua një takim me organizata dhe institucione donatore, morën pjesë përfaqësues nga Banka Botërore, BE, KE, ILO, IOM, UNICEF etj., të cilët u njohën më përmbajtjen e Strategjisë. Kjo strategji është pjesë e rëndësishme e Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin Ekonomik dhe Social (SKZHES), si dhe është në përputhje me objektivat e Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit. Në këtë kontekst, Strategjia synon të thellojë reformën që aktualisht është ndërmarrë në fushën e shërbimeve sociale në harmoni të plotë me procesin e Decentralizimit të kompetencave dhe përgjegjësive të pushtetit lokal. Filozofia thelbësore e kësaj strategjie është ngritja e shërbimeve në nivel komuniteti, aty ku janë nevojat dhe përfituesit, me synim mbështetjen e individëve, familjeve, grupeve të komunitetit në mënyrë që këta të bëhen të aftë për të vetëvepruar, si dhe të përfshihen me të drejta të barabarta si çdo pjesëtar tjetër i shoqërisë. Procesi i përgatitjes së Draftit ka përfshirë shumë aktorë të niveleve qendrore dhe lokale me qëllim përfshirjen në këtë strategji të mendimeve dhe sugjerimeve të tyre. Në këtë kontekst, Ministria po organizon një proces diskutimesh dhe konsultimesh me Organizata Donatore, të cilat operojnë në fushën e shërbimeve sociale për të sjellë komentet dhe sugjerimet e tyre rreth këtij Draft-Strategjie. Synimi i Strategjisë së Shërbimeve Sociale, siguron një politikë të qartë për reformimin e sistemit të shërbimeve sociale, jo vetëm grupet në nevojë, por edhe për të gjithë shoqërinë.