Shqipëri-Kosovë, shkollat e larta të njëjtin program
09/02/2005 Shqipëria dhe Kosova do të nisin përpjekjet për të patur të njëjtin cilësi arsimi në Unviersitete dhe baza do të jetë standardi evropian i "Kartës së Bolonjës". Ky ka qenë angazhimi i përbashkët që është diskutuar në takimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Luan Memushi, me rektorin e Universitetit të Prishtinës, Arsim Bajrami. Në këtë takim, ministri Memushi theksoi faktin se këto marrëdhënie kanë ardhur gjithnjë duke u zgjeruar sidomos pas kontakteve dhe bisedimeve të fundit mes ministrave të Arsimit dhe Kryeministrave të Shqipërisë dhe Kosovës. Fryma e re e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe shkencës do të përshpejtojë integrimin e rajonit në familjen evropiane, ishte një nga temat që u bisedua në takim. Këtij qëllimi i shërben edhe përshtatja e planeve dhe programeve mësimore sidomos në Arsimin e Lartë. Kjo do të bëjë të mundur që rreth 70% e teksteve të bazohen në standarde të njëjta me ato evropiane, duke sjellë në këtë mënyrë transferimin e krediteve sipas Kartës së Bolonjës. Shkëmbimi i lektorëve, punonjësve shkencorë dhe studentëve do të përshpejtojë këtë proces. Dy vitet e fundit është arritur dyfishimi i numrit të studentëve që ndjekin studimet nëpër Universitetet shqiptare krahas të rinjve shqiptarë që preferojnë të konkurrojnë në Universitetet e huaja. Në këtë mënyrë në vitin 2002 u pranuan nëpër Universitetet tona rreth 7500 studentë, ndërsa në vitin 2004 kjo shifër arriti në 14 mijë studentë, numër që përbën mbi 75% të maturantëve që mbarojnë arsimin e mesëm. Rektori i universitetit të Prishtinës, z.Arsim Bajrami, vlerësoi në mënyrë të veçantë kontributin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Luan Memushi, në krijimin e kushteve të volitshme, që studentët nga Kosova, por edhe nga trojet e tjera shqiptare të ndihen në kushte sa më optimale në universitetet shqiptare. Ai propozoi që numri i pranimeve për këta studentë të rritet në të ardhmen. Në këtë kuadër palët ranë dakord që në frymën e Kartës së Bolonjës të punohet për një system unik të krediteve për shkëmbime të studentëve të nivelit Master dhe Doktoraturë. Në takim u diskutua në frymën e bashkëpunimit edhe rreth zgjidhjes që iu dha transferimit të studentëve nga Tetova për të bërë të mundur vazhdimin e studimeve të tyre në Universitetet e Shqipërisë dhe të Kosovës. Ministri Memushi theksoi faktin se në Universitetin e Tiranës ka marrë përsipër krijimin e kushteve për studim në Degën e Mjekësisë dhe Stomatologjisë për 100 studentë nga Tetova, ndërsa 200 studentë të tjerë të së njëjtës degë janë transferuar në Universitetin e Prishtinës.