Jeremiç: “Nëse Haga e shpall te ligjshme do njohim pavarësinë e Kosovës”
Për të ndaluar njohjen e pavarësisë së Kosovës, Serbia papritur ka hedhur poshtë pretendimin shekullor mbi Kosovën. Ministri i jashtëm serb Vuk Jeremiç ka bërë deklaratën më të fuqishme e cila do ta çimentonte pavarësinë e Republikës së Kosovës. Ai është shprehur se Serbia mund ta njohë Kosovën shtet të pavarur vetëm nëse Gjykata Ndërkombëtare vendos se shpallja e pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt ka qenë një veprim ligjor. Këtë deklaratë, shefi i diplomacisë serbe e ka bërë gjatë vizitës së 15 gushtit në Nju Jork. “Serbia do ta njihte pavarësinë e provincës së saj Kosovës nëse Gjykata Ndërkombëtare e konfirmon shpalljen e pavarësisë së njëanshme të 17 shkurtit si ligjore”,- ka thënë Jeremiç për agjencinë holandeze të lajmeve ANP. Mark Fiser redaktor i lajmeve në ANP tregon se lajmi i cili bën fjalë për njohjen e Kosovës nga Serbia, është publikuar para tre ditësh dhe se deri tani askush nga Serbia nuk e ka përgënjeshtruar këtë lajm. Fiser për median serbe tha se lajmi është autentik dhe se deri tani as ministria e Jashtme serbe dhe as ambasada serbe në Holandë nuk ka kërkuar ta përgënjeshtrojnë lajmin në fjalë.
“Lajmi është i vërtetë, ai është transmetuar edhe nga mediat gjermane dhe franceze”,- tha redaktori i ANP-së dhe konfirmoi edhe një herë se thonjëzat e vendosura tek titulli “Serbia do e njihte pavarësinë e Kosovës” do të thonë se këto janë fjalët e ministrit të jashtëm serb. Megjithatë, sipas gazetës “Kurir” në kabinetin e ministrit të jashtëm serb, Jeremiç gjatë prezantimit të tij nuk e ka thënë këtë deklaratë. “Në konferencën në fjalë kanë qenë mbi 15 gazetarë dhe asnjëri prej tyre nuk e ka publikuar këtë lajm”,- thuhet në sqarimin e lëshuar nga kabineti i Jeremiqit. Ata po ashtu përsëriten qëndrimin e njohur serb se Serbia kurrë nuk do e njohë Kosovën. Por kabineti i ministrit të jashtëm serb nuk dha shpjegime se përse nuk është kërkuar largimi i këtij lajmi nga uebfaqja e ANP-së. Ndërkohë numrit të shteteve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës i është shtuar edhe Malta duke u bërë shteti i 21 i Bashkimit Europian që njeh shtetin e ri. Lajmi u bë i ditur nga Departamenti i Informacionit i Maltës. Ministri i Punëve të Jashtme të Maltës, Tonio Borg ka thënë se Kosova njihet si shtet pasi nuk ka pasur alternativë tjetër për shkak të ngjarjeve që kanë ndodhur në 10 vitet e kaluara. Ministri u dërgoi një letër presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeministrit Hashim Thaçi për t’i njoftuar ata me vendimin që ka marrë ky shtet.
22 Gusht 2008