KFOR: Në veri ekziston një rrjet paralel sigurie
Situata në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt është e qetë dhe kjo situatë është arritur falë bashkëpunimit midis policisë vendore, KFOR-it dhe asaj ndërkombëtare. Kështu është shprehur gjatë një interviste komandanti i KFOR-it, gjenerali Havier De Marnak duke pohuar se megjithë situatën e qetë, në veri dhe në komuna të tjera ku ka shumicë serbe, ka struktura paralele administrative. “Nuk dua të ndërhyj aq shumë në këtë proces, sepse është më shumë një çështje politike sesa çështje ushtarake. E di që ka struktura paralele administrative në veri dhe në komunat e tjera në Kosovë, por nuk ka dëshmi se ka ndonjë sforcim në rrafshin e strukturave të sigurisë”,- tha Marnak. “Kam përshtypjen se shumica e njerëzve këtu, kanë dëshirë vetëm të kenë një jetë normale, sa më normale që të jetë e mundshme, që nënkupton mirëqenien për fëmijët e tyre, kujdesin për shtëpitë e tyre dhe përpjekjet për përmirësimin e kushteve në të cilat jetojnë”- tha De Marnak. Komandanti i KFOR-it nuk sheh ndonjë kërcënim tani për tani në lidhje me ekzistencën e këtyre strukturave paralele administrative. “Në baza ditore dhe duke marrë parasysh operacionet e KFOR-it në veri, nuk shoh ndonjë kërcënim, të paktën jo tani për tani. Por, ajo që mund të ndodhë në të ardhmen, i takon së ardhmes”. Iniciativa e Shërbimit Policor të Kosovës dhe policisë së UNMIK-ut për vendosjen e kamerave në pikat kufitare në veri të Mitrovicës, me qëllim të rritjes së kontrollit, është ndërprerë pas disa deklaratave të zyrtarëve komunalë serbë në Zubin Potok. Këto reagime kanë çuar në ndërprerjen e punimeve atje. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, pohon se punët për vendosjen e kamerave janë ndërprerë, por, sipas tij, ato pritet të fillojnë sërish. Kamerat mendohet të vihen në funksion që nga 1 shtatori në vendkalimin kufitar Jarinje, ku pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës serbët e revoltuar dogjën pikën doganore.
22 Gusht 2008