“Rruga e vdekjes” i merr jetën një personi, plagosen 4 të tjerë
LEZHË/KRUJË - Autostrada Lezhë-Mamurras, e njohur ndryshe si rruga e vdekjes ka shënuar sërish një bilanc të përgjakshëm. Burimet policore raportojnë për të paktën dy aksidente të ndodhura 24 orët e fundit, ku ka gjetur vdekjen një shtetas dhe janë plagosur katër të tjerë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Lezhës bëjnë të ditur se të dielën në mbrëmje, rreth orës 17.50 janë përplasur një makinë me një motor, ku për pasojë ka gjetur vdekjen drejtuesi i këtij të fundit. “Në superstradën Fushë-Krujë - Lezhë dhe pikërisht në Fushë Mamurras të rrethit Kurbinit, automjeti tip Mercedes Benz, me targë 4164 YE 54, me drejtues shtetasin Kujtim Simoni, me drejtim lëvizje Tiranë– Lezhë, ka humbur kontrollin e automjetit, duke dalë në krahun tjetër të lëvizjes, e më pas jashtë rruge, duke u përplasur me një motoçikletë, e cila ndodhej jashtë rruge, në bankinën perëndimore të saj që drejtohej nga shtetasi Durim Mema”, - thotë njoftimi i zëdhënëses së Policisë, Eliona Nikaj. Si pasojë e këtij aksidenti, gjeti vdekjen shtetasi Durim Mema, 43 vjeç, lindur dhe banues në Mamurras. Burimet e policisë vendore sqarojnë se në orën 23.00 të asaj dite u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të mjetit, Kujtim Simoni, lindur në Pukë dhe banues në Tiranë, me profesion jurist. “Arrestimi i tij u krye për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, - thonë burimet zyrtare. Pa kaluar as disa orë një tjetër aksident ndodhi në të njëjtin aks rrugor. Ngjarja u regjistrua në fshatin Derven të rrethit të Krujës. Makina me tragë TR 5032 M ku po udhëtonin në drejtim të Tiranës katër persona, ka dalë nga rruga, duke bërë dy rrotullime derisa është ndaluar pranë parkingut të një pike lavazhi. Sipas Policisë së Krujës, të lënduarit janë në gjendje kritike për jetën. Pas ngjarjes, ata janë dërguar me urgjencë në drejtim të Spitalit Ushtarak në kryeqytet. Të parët që kanë dhënë ndihmë ishin banorët e zonës përreth vendit të aksidentit, të cilët kanë bërë të mundur nxjerrjen e të plagosurve nga makina e përmbysur dhe dërgimin e tyre në spital. Sipas policisë, dyshohet se në momentin e daljes nga rruga makina të ketë pësuar ndonjë defekt mekanik. Por një përjashtohet mundësia e shpejtësisë dhe terrenit të rrëshqitshëm si pasojë e rënies së reshjeve.
Ndalohet, aksidentoi me makinë 60-vjeçaren
DURRËS – Një 19-vjeçar ka përfunduar në komisariatin e policisë, pasi duke drejtuar mjetin e tij ka aksidentuar një të moshuar. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se mbrëmjen e së dielës, rreth orës 23.00, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Edmond Ballgjini, lindur dhe banues në lagjen Nr. 14 në qytetin bregdetar. Sipas tyre, arrestimi i 19-vjeçarit u bë sepse dy ditë më parë, rreth orës 17.00, në lagjen Nr. 17, në kohën kur drejtonte automjetin tip Audi, me targë DR 3382 B ka aksidentuar rëndë këmbësoren B.M., 60 vjeçe, banuese në lagjen Nr. 14 në qytetin e Durrësit. Burimet policore sqarojnë se e dëmtuara ndodhet nën trajtim mjekësor në Spitalin e qytetit. Ndaj 19-vjeçarit Ballgjini kanë nisur veprimet e para hetimore pasi akuzohet për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.
7 Tetor 2008