E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si do të plotësohen vendet bosh në universitete



Ministria e Arsimit po përgatit një udhëzim të veçantë për rishpërndarjen e kuotave vakante në Universitetin e Tiranës. Pas mbylljes së raundit të dytë të regjistrimeve në universitete në Universitetin e Tiranës rezultuan sërish kuota të paplotësuara. Sipas udhëzimit të ri, fakultetet e Universitetit të Tiranës mund të pranojnë edhe rreth 264 studentë të tjerë. Ndërkohë që udhëzimi për plotësimin e këtyre vendeve vakante pritet të bëhet publik së shpejti. Të dhënat zyrtare të UT, konfirmojnë ndërsa një pjesë e mirë e fakulteteve kanë plotësuar numrin e studentëve të rinj të regjistruar në vitin e parë, ka vende ende bosh për studentë në disa fakultete.
Vendet
Kështu, në Fakultetin e Mjekësisë kanë rezultuar nëntë vende bosh për studentët e vitit të parë dhe 25 vende në degët e Infermierisë. Një numër i konsiderueshëm vendesh vakante rezulton në degët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, në të cilin mund të pranohen edhe 88 studentë të rinj. Në degët e Fakultetit Ekonomik kanë rezultuar 10 vende bosh. Ndërsa në degët e Fakultetit të Histori-Filologjisë, 17 kuota të paplotësuara. Në Universitetin e Tiranës më shumë vende bosh kanë ngelur në 101 vende në degët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës ku ekzistojnë 101 të tilla. Në Fakultetin e Shkencave Sociale do të pranohen edhe 14 studentë të rinj. Fakulteti Juridik ka qenë më i preferuari nga të rinjtë. Pas mbylljes së fazës përfundimtare të regjistrimit në këtë fakultet nuk ka rezultuar asnjë kuotë e paplotësuar. Të 264 vendet ende bosh, janë shpallur edhe në sekretaritë e fakulteteve përkatëse.
Pikët
Pikët do të jenë kriteri kryesor për përzgjedhjen e maturantëve që nuk e kanë fituar të drejtën e studimit edhe pas mbylljes së procesit të regjistrimit përfundimtar.
Aneksi i formularit A2 është parë si metoda më e mirë për rishpërndarjen e fituesve sidomos në universitetet e rretheve. Specialistët e Arsimit shpjegojnë se aplikimi për tu shpallur fitues do të bëhet sipas kësaj forme, sepse përsëri do të ketë një përzgjedhje të degëve nga fituesit, të cilët për të hyrë në universitet duhet të kenë një numër të lartë pikësh. Duke marrë parasysh edhe eksperiencën e vitit të kaluar, në të cilin u veprua pothuajse në të njëjtën mënyrë, po bëhet gati edhe struktura e formularit të ri.
Përzgjedhja
Kështu, sipas specialistëve, mendohet që në këtë “aneks” të formularit A2 të ketë një vend të posaçëm për plotësimin e gjeneraliteteve të secilit kandidat që nuk është shpallur fitues. Më pas, në një listë të gjatë do të jenë të renditura të gjitha degët ku ka kuota të paplotësuara. Për të “rikonkuruar” maturantët duhet të bëjnë një kërkesë me anë të këtij aneksi formulari dhe do të rrethojnë degën që dëshirojnë (nga ato që kanë mbetur me vende bosh) për të ndjekur studimet. Pas kësaj procedure, maturantët që do të kenë pikët e mjaftueshme, do të shpallen fitues. Por përveç pikëve të larta ose sa më pranë kufirit të pranimeve një tjetër kriter për tu shpallur fitues në fazën e tretë do të jetë edhe preferenca. Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Arsimit më shumë vende bosh kanë ngelur në degët që janë kërkuar më pak nga maturantët në plotësimin e formularit A2. Por, megjithëse këtë vende të mbetura bosh janë më shumti në degë jo shumë të preferuara maturantët që nuk duan të humbasin një vit akademik mund të aplikojnë për tu ulur në auditor që këtë vit.

Vendet bosh sipas fakulteteve
9 në Fakultetin e Mjekësisë
25 në Fakultetin e Infermierisë
88 në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja
10 në Fakultetin Ekonomik
17 në Fakultetin e Histori-Filologjisë
101 në Fakultetin e Shkencave të Natyrës
14 në Fakultetin e Shkencave Sociale

7 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›