Policia e EULEX-it arreston dy persona për krime të luftës

Ejup Kabashi dhe Haxhi Mazrekaj, që të dy ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë arrestuar të martën në mëngjes nga policia e EULEX-it dhe policia e Kosovës.
Burime të gazetës nga Rahoveci bëjnë të ditur se Kabashi dhe Mazrekaj janë arrestuar në shtëpitë e tyre në fshatin Opterushë të Rahovecit.
Të dy këta akuzohen për krime të luftës që supozohet se janë kryer në vitin 1998. arrestimin e këtyre dy personave e konfirmon edhe misioni i Bashkimit Evropian, EULEX.
“Sot në rajonin e Prizrenit zyrtarët policorë nga departamenti ekzekutiv i policisë së EULEX-it, të mbështetur nga njësia ROSU e Policisë së Kosovës, kanë arrestuar dy shqiptarë të Kosovës në kontekstin e disa hetimeve në vazhdim që kanë të bëjnë me krime të luftës”, thuhet në një komunikatë për media të këtij misioni.
Sipas komunikatës akuzat ndërlidhen me ushtrimin e masave të kërcënimit dhe terrorit; zhvendosjen dhe shpërnguljen e popullatës civile, vepra këto të kryera mes datës 17 dhe 19 korrik 1998 në Rahovec dhe në fshatrat përreth.
“Hetimet janë nën mbikëqyrjen e një prokurori të EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK).”