E Diel, 1 Nëntor 2026

SPECIALISTËT, Eurot e falsifikuara, elementet dhe detajet se si mund ti dallojmë



Artan CENA
TIRANË - Jo rrallë na bie që në dorë të kemi para të falsifikuara, ndonjëherë që i kemi marrë gabimisht apo herë tjetër për t’i parë sesa “origjinale” janë ato. Zakonisht dhe mënyrë më e mirë për trafikimin e parave të tilla është ajo e përzierjes me një sasi të madhe kartëmonedhash të të njëjtit lloj, si lekë, ashtu dhe euro, apo dollarë (valutat më të përdorura në Shqipëri). Edhe pse çdo vit teknologjia e bërjes së parave bëhet më e sofistikuar, sërish në treg nuk mungojnë paratë e falsifikuara. Në vendin e tonë falsifikimet më të shumta janë bërë për monedhën euro, në letër, por nuk kanë munguar as ato të lekut apo dollarit amerikan. Pak ditë më parë, Policia e Tiranës, pas disa muaj hetimesh, shkatërroi një rrjet të organizuar kriminal që merrej me futjen në Shqipëri të eurove false. Shuma prej 74 mijë eurosh që u sekuestruan ishin të gjitha të falsifikuara dhe ishin bërë gati që të hidheshin në treg me fillimin e sezonit turistik, ku shumica e njerëzve bëjnë pagesa në euro. Por si mund ta dallojmë një kartëmonedhë të falsifikuar në mënyrën më të mirë? Sipas specialistëve të Policisë së Tiranës, që merren me këtë gjë, dallimin e parave të falsifikuara nuk mund ta bëjë çdo njeri, por ekspertë që e njohin shumë mirë ndërtimin e monedhave.
Ekspertët
Një prej ekspertëve të policisë që merret ekskluzivisht me fushën e falsifikimit të parave, ka treguar se kartëmonedhat kanë shumë elemente sigurie, disa të dallueshme e disa jo. Por, për një njeri të thjeshtë mund të jetë e vështirë që ta dallojë një të tillë. Sipas të dhënave të Policisë shqiptare, por jo vetëm, falsifikimet më të shpeshta bëhen për monedhat që kanë vlerë të vogël, si 5 euro, 10 apo dhe 50 euro. Sipas tyre, këto janë dhe më të lehta për t’u hequr nga dora, meqë dhe vëmendja që u kushtohet në momentin kur ato këmbehen është më e vogël sesa për prerjet e mëdha. Por nuk kanë munguar dhe tentativat për të bërë euro false të prerjeve 100 apo dhe 500 euro. Në aksionin e disa ditëve më parë, të koduar “Graniti”, ku morën pjesë dhjetëra efektivë policie dhe në pranga u vunë 14 persona, u kap shuma prej 74 mijë eurosh, të gjitha të prerjes qindëshe. Nga specialistët e policisë është arritur në përfundimin se ngjashmëria është e madhe. Një nga ekspertët, që nuk preferoi të deklarohej me emër, tha se duhet një kujdes i veçantë për të bërë të mundur njohjen e tyre.
Eurot e falsifikuara
Paraja e përbashkët e BE-së, euroja, ka shtatë prerje kartëmonedhash. Çdo prerje ka përmasa dhe ngjyra të ndryshme. Sipas specialistit të Policisë së Tiranës, vizatimi i kartëmonedhave euro është inspiruar nga stili arkitektonik i shtatë periudhave historike të artit europian. Ai tregon se euroja ka disa elemente sigurie si regjistrimi, filigrani dhe filli i sigurisë, ndërsa ka edhe shiritin iredeshent. Ky shirit, me një burim drite, shkëlqen dhe është i mundur shikimi i simbolit të euros dhe vlera nominale e kartëmonedhës. Ndërsa euroja ka edhe shirit holografik, thotë ai. Sipas tij, eurot false në Shqipëri e kanë letrën të lëmuar, por çdo vit dhe teknologjia e eurove false vjen duke u perfeksionuar, ku ndonjëherë ndodh që dhe nuk dallohen, veç aparaturave speciale që zakonisht i mbajnë bankat e mëdha. Elementet që dallojnë një kartëmonedhë të falsifikuar janë të ndryshme. Në kartëmonedhën e falsifikuar vula false ka ngjyrë të shpërlarë, ndërkohë që duhet të jetë ngjyrë varaku. “Në mes të euros mungojnë katër segmente metalike, të cilat te euroja e rregullt shihen në dritën e diellit, si dhe perceptohen me prekje. Elementi i radhës në euron e falsifikuar është shifra e madhe që nuk ka bojë vizualisht të ndryshueshme ndërsa e sheh në këndvështrime të ndryshme. Euros false i mungojnë minitekstet. Kartëmonedhat e vërteta kanë shkronja dhe numra të cilët dallohen edhe me sy të lirë, por më mirë do të dalloheshin me lupë. Ky është element shumë i vështirë për t‘u kopjuar, kështu që falset nuk i kanë. Në euron false mungojnë pjesë me reliev të kodërzuar. Euroja e rregullt i ka këto elemente që dallohen nga prekja, të cilët janë vënë për t‘u dalluar nga personat e verbër. Gjithashtu, eurot false nuk kanë figura, të cilat mund të shihen vetëm nëse drejtohen nga drita”, - tregon eksperti i Policisë së Tiranës, që ka disa vite që merret vetëm më hetimet dhe zbulimet e rrjeteve që sjellin në Shqipëri para të falsifikuar.

Elementet e kartëmonedhës
Elementet e spikatura të prekjes përfshijnë akronimin e Bankës Qendrore Europiane (BCE, ECB, EZB, EKT, EKP), shifrat e vlerës së kartëmonedhës, si dhe vizatimet e dritareve dhe të dyerve. Më pas duhet të provoni të shihni filigranin, fillin e sigurisë dhe regjistrin e shtypit në e anën e përparme - anën e pasme, duke e mbajtur kartëmonedhën përkundrejt dritës.

Shenja të rëndësishme sigurie
1. Ndjesia e shtypit të thellë
2. Filigrani
3. Filli i sigurisë
4. Regjistri i shtypit
5. Holograma
6. Rripi i ndritshëm (i ylbertë) dhe boja vizualisht e ndryshueshme
7. Mos u mjafto me kontrollin vetëm të një shenje sigurie, por verifikoji të gjitha shenjat e sigurisë
8. Nëse dyshon për origjinalitetin e një kartëmonedhe, krahasoje atë me një kartëmonedhë tjetër autentike

Çfarë të bëni kur dikush ju jep kartëmonedhë false:
1. Ruani qetësinë
2. Mos hyni në debat
3. Kontrolloni, pa ngjallur dyshime, nëse kartëmonedha paraqet disa prej shenjave të sigurisë
4. Mbajeni klientin me një pretekst dhe informoni dikë apo shërbimin e sigurisë
5. Lërjani shërbimit të sigurisë përballjen me klientin
6. Aktivizoni, nëse është e disponueshme, telekamerën me qark të mbyllur
7. Përpiquni ta mbani klientin, por pa iu ekspozuar rrezikut

Kartëmonedhat që falsifikohen
5 euro
Kjo është kartëmonedha me prerje më të vogël në të cilën dominon ngjyra gri. Në këtë prerje kartëmonedhe është përdorur stili klasik.
10 euro
Në këtë prerje kartëmonedhe, e cila është prerja e dytë, dominon ngjyra e kuqe. Në këtë prerje kartëmonedhe është përdorur stili roman.
20 euro
Në këtë prerje kartëmonedhe ngjyra që dominon më shumë është ngjyra blu. Në këtë prerje kartëmonedhe është përdorur stili gotik.
50 euro
Kjo është kartëmonedhe me prerje të mesme në të cilën dominon ngjyra e portokalltë. Në këtë prerje kartëmonedhe është përdorur stili i Rilindjes.
100 euro
Në këtë prerje kartëmonedhe ngjyra e cila dominon më shumë është ajo jeshile. Në këtë prerje kartëmonedhe është përdorur stili barok dhe rokoko.
200 euro
Në këtë prerje kartëmonedhe, ndryshe ato të tjerat dominojnë dy ngjyra, të cilat janë e verdhë dhe kafe. Në këtë kartëmonedhë është përdorur stili arkitekturor i epokës së Hekurit dhe të Xhamit.
500 euro
Prerja më e madhe e kartëmonedhës në të cilën dominon ngjyra vjollcë. Në këtë prerje kartëmonedhe është përdorur stili modern i shekullit XX.

Operacioni “Graniti”
Operacioni “Graniti” i datës 10 prill për shkatërrimin e këtij rrjeti të shpërndarjes së eurove false u nis dhe përfundoi te stadiumi “Qemal Stafa” dhe në rrugën nacionale Elbasan-Tiranë, ku ranë në pranga dy maqedonas, të cilët policia tha se janë krerët e rrjetit. Nga hetimet e kryera rezultoi se grupi kriminal drejtohej nga kosovari Avni Hajrullau dhe maqedonasi Kemal Rexhepi. Policia shpjegoi se ato prodhoheshin në Rumani dhe merreshin nga Rexhepi, i cili nga Maqedonia i transportonte drejt Tiranës. Në momentin e arrestimit, 35 mijë euro u kapën në një lokal te stadiumi “Qemal Stafa”. Ndërsa 38 mijë euro iu kapën dy maqedonasve, të cilët po vinin nga Elbasani në drejtim të Tiranës. Pas një pune operative hetimore dhe procedurale me anë të zbatimi të metodave speciale të hetimit për një periudhe 3-mujore, është arritur të sigurohen provat e mjaftueshme për t’u vërtetuar fakti që të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin hedhur në qarkullim kartëmonedha euro të falsifikuara.

26 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›