E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeta e fshehtë e Çarls Dikensit

Nuk janë të shumtë ata që e
dinë se i madhi i letrave angleze,
Çarls Dikens, përveçse
një nga shkrimtarët më të
mëdhenj të vendit të tij ishte edhe
aktor. Veç kësaj, ai ishte i sëmurë pas
punës, e si mund të ishte ndryshe një
shkrimtar aq prodhimtar e cilësor?
Fëmijëria e keqe dhe e varfër ishte një
kujtim e përvojë që do ta shoqëronte
gjithë jetën. Sidomos vitet kur punonte
në një fabrikë për larje shishesh. Madje,
thuhet se kjo bëri që Dikens të mos
ishte kurrë një i rritur i stabilizuar
emocionalisht, madje jo rrallë shquhej
për shpërthime të ekzagjeruara të inatit,
apo edhe gëzimit. Në vitin 1857,
shoku i tij, Wilkie Collins, shkroi një
dramë, që kishte në qendër të saj
temën e një ekspedite të dështuar në
Arktik. Dikens u obsesionua pas saj
dhe e pëlqeu aq shumë, sa vendosi,
dhe për këtë iu lut shokut të tij, që të
luante rolin e personazhit negativ të
dramës. Pikërisht, ndërsa merrej me
provat e interpretimit të kësaj pjese, ai
u dashurua marrëzisht pas partneres së
tij të lojës, një vajzë 18 vjet më e madhe.
Kjo dashuri e çoi edhe në braktisjen e
bashkëshortes dhe fillimin e një jete
të re. Veprat e Dikensit kanë rritur dhe
edukuar breza të tërë. Sot ato vazhdojnë
të jenë aktuale, sidomos disa
syresh, në të cilat pasqyrohen qederet
e fajdexhinjve, grykësia e bankierëve,
apo rrënimet e familjeve të tëra nga
falimentimi, për shkak të krizave të
ndryshme që godisnin rëndë të varfrit.
Megjithatë, ajo çka e ka ribërë
interesant figurën e këtij shkrimtari
të madh, aktualisht nuk janë veprat
e tij, por jeta e tij, një tjetër "roman"
i panjohur i shkrimtarit të madh. Këtë
herë janë dy shkrimtarë britanikë që
kanë vendosur ta bëjnë shkrimtarin
e madh personazhin e një vepre të
tyre. Kjo vepër ka të bëjë me fundin
e romanit që ai e la të papërfunduar,
për shkak të vdekjes: "Misteri i Edvin
Drood". Sipas studiuesve të shkrimtarit,
ajo çka është vërtet e çuditshme
në lidhje me Dikensin, është papërputhshmëria
mes veprës dhe jetës
së tij. Ndërkohë që personazhet e tij
gjithmonë pas një fillimi të vështirë
e plot prova shijonin në mënyrë të
merituar një fund të lumtur, që ishte
edhe shpërblimi për sakrificat, vuajtjet,
kurajën e karakterin e nxjerrë në
pah gjatë kohëve të vështira, jeta e
Dikensit ishte një kaos i vërtetë, e
denjë për një telenovelë. Për Dikensin
janë bërë edhe më parë romane dhe
biografi. E fundit në këtë listë është
ajo e një shkrimtari australian. Historia
nis kur Dikens po përjetonte zinë
dhe dhimbjen nga vdekja e fëmijës
së tij të 9, Dora. Në këtë periudhë të
jetës së tij ai ndihej i huaj jo vetëm me
pjesëtarët e tjerë të familjes, por edhe
me veten. Ishte në një krizë depresive,
nga e cila realisht doli shumë vonë.
Romani quhet "Të duash". "Thonë
se Krishti ishte një njeri i mirë, po
a jetoi ai ndonjëherë me ndonjë
grua? - pyet personazhi Dikens. Në
roman ai është një person që i jetonte
thellësisht, emocionalisht ndjenjat e
personazheve të librave të tij, një njeri
që zhytej për ditë e ditë të tëra mbi letra
e nuk çohej pa i mbaruar së rrëfyeri
historitë e tij. Më pas, për të dalë nga
bota e krijuar i duhej shumë kohë dhe
përpjekje për t‘u përshtatur, çka nuk rezultonte
e lehtë gjithmonë. Në dramën
e shokut të vet ai luan një personazh, që
më në fund, pas një dystimi të madh në
jetë, arrin për herë të parë të shprehë
hapur ndjenjat e tij, çka Dikens e bëri
në të vërtetë duke e lënë veten të lirë të
dashurohej pas partneres në skenë e të
fillonte me të një jetë të re. Ajo çka autori
i librit për Dikensin dhe vetë Dikens
eksplorojnë në veprat e tyre, është
ndjenja e të dashurit, të dëshiruarit, të
arritjes së realizmit të dëshirave më të
fshehta, dëshirave që qëndrojnë thellë
në nënndërgjegjen tonë, e që në më të
shumtën e rasteve digjen brenda nesh,
pa u realizuar kurrë, e duke na krijuar
probleme shpirtërore, herë pas here.
Personazhet e tyre janë njerëz të uritur
për dashuri, të etur për dikë që t‘i dojë
dhe ta duan pa kushte përjetësisht, që
t‘u falë qetësinë, prehjen e lumturinë
gjatë kohës së kaluar bashkë. Ata janë
shpesh njerëz të çoroditur, që kërkojnë
aty ku s‘ka, e më pas të zhgënjyer bëjnë
të kundërtën e asaj që duhet të bënin
për të gjetur dashurinë. "Ne të gjithë
kemi orekse dhe dëshira, por vetëm
më të çmendurit e të çarturit prej
nesh guxojnë t‘i kënaqin ato", thotë
personazhi Dikens.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›