E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeta e një minatori vlen vetëm 10 mijë euro

Gazeta zbardh skemën abuzive të kompanive për sigurimin e jetës. Negociatat mes sindikatave dhe kompanive dhe mungesa e kuadrit ligjor
Albert Gjoka, Aleksandër Noka

BULQIZË – Nëse Njazi Alliu do të kishte qenë minator në Gjermani, Kanada apo në vendet e tjera të zhvilluara Perëndimore, familja e të ndjerit do të kishte marrë “sigurim jete” të paktën 200 mijë apo 300 mijë euro. Por dy fëmijët fatkeq të minatorit të ndarë nga jeta në frontin e punës vetëm tri ditë më parë duket se nuk do të marrin më shumë se 10 mijë euro. Kjo shifër ka dalë nga burime jozyrtare, ku thuhet se në bazë të kontratës që Albanian Chrom (ACR) ka me Sindikatën e Minatorëve dhe një kompani sigurimi private, vlera që u detyrohen familjarëve të viktimave në punë nuk e kalon shumën e 12 milionë lekëve të vjetër. “Sigurimi i jetës sipas ligjit është akoma vullnetar”, - thotë kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikolli, në një prononcim të dhënë për gazetën. Ndërsa sindikalistë të tjerë thonë se problemi qëndron në hartimin dhe miratimin e statusit të minatorit.
Problemi
Kreu i Sindikatës për Metalurgjinë dhe Industrinë e Rëndë në Konfederatën e Sindikatave të Shqipërisë, Qerim Ismeni, pohon se ka pak vite që kompanitë private në sektorët me rrezik jete kanë filluar që të aplikojnë në mënyrë vullnetare “sigurimin e jetës” për punonjësit e tyre, pas presionit që kanë bërë sindikatat. Sipas tij, ky siguracion është krejtësisht vullnetar, pasi nuk ka detyrime ligjore, siç ndodh me sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Ai pohon se punonjësit e Kombinatit Metalurgjik në Elbasan, apo minatorët e Bulqizës janë të pajisur me siguracionin e jetës, ndonëse nuk pranon të japë vlerën financiare të këtij siguracioni për raste të plagosjes apo vdekjes në punë. “Sipas eksperiencës Perëndimore, punëdhënësit dhe shoqëritë e sigurimeve nënshkruajnë marrëveshje për sigurimet e jetës. Kjo bëhet më e domosdoshme në ndërmarrjet me rrezik të shtuar të jetës, si industria e armatimeve, rafineritë e naftës, centralet bërthamore, minierat, impiantet e pesticideve etj.”, - thotë sindikalisti Ismeni, i cili saktëson se aktualisht në Shqipëri ky është më shumë një detyrim moral sesa ligjor për punëdhënësit. Sipas tij, në vendin tonë problem mbetet “statusi i minatorit”, përmes të cilit do të zgjidhet problemi i moshës së pensionit për punonjësit.
Negociatat
“Ligjërisht, sigurimi i jetës është sigurim vullnetar”, - thotë Kol Nikolla, kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Minatorëve. Duke përmendur rastin konkret të ndarjes nga jeta të minatorit Njazi Alliu, ai thotë se “Albanian Chrome (ACR) dhe kompania e sigurimeve po merren me procedurat e kalimit të fondit për familjen e tij. Sipas Nikollës, kontrata mes punonjësve dhe firmës koncesionare është individuale dhe shuma e parave që merret në raste fatkeqësish si aksidente me pasojë dëmtimi ose vdekje varen nga shuma e primit të sigurimit. Por, burime të gazetës bëjnë të ditur se shuma që pritet të marrë familja e Njazi Alliut në formën e sigurimit të jetës nuk shkon më shumë se 10 mijë euro. Deri tani, në të gjitha fatkeqësitë e ndodhura në Minierën e Bulqisës, qeveria shqiptare ka dhënë në formë shpërblimi 1 milion lekë për familjet e viktimave.
Paralajmërimet
Gjatë ditës së djeshme Drejtoria e Minierës së Bulqizës ka analizuar shkaqet që sollën aksidentin me pasojë vdekjen e Njazi Allisë. “Shpata” ka rënë jo mbi drejtuesit e firmës, por te drejtuesit e prapavijës. Drejtori i Minierës, Petrit Duka, ka komunikuar paralajmërimin për pushim të brigadierit Nazmi Gjoka, të cilin e ka kaluar në nivelin e vagonistit, ndërsa janë larguar nga puna dy sinjalizuesit e dy niveleve në minierën e kromit. Po ashtu, janë bërë paralajmërime për pushim nga puna edhe për dy punonjës të tjerë. Vdekja e Njazi Alliut shënoi rastin e tetë të viktimave në Minierën e Kromit në Bulqizë. Që nga fillimi i punës në këtë minierë e deri sot janë ndarë nga jeta aksidentalisht më shumë se 270 persona.

13 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›