Olldashi: ”Nuk kemi ndryshuar ligjin për përgjimet”
Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi, përgënjeshtroi zërat se projektligji mbi përgjimet bublon institucionet e tjera politike. Sipas ministrit, opozita duhet të jetë e qetë pasi ky projektligj nuk mund të ketë prapavijë politike. “Shqetësimet e opozitës duhet të verifikohen, por është detyrë e komisionit për të nxjerrë përfundimet e tyre, si dhe vendet ku duhet të ndërhyhet, me qëllim sistemimin e përgjimeve të telekomunikacionit”, - tha ministri i Transporteve. Gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit të Sigurisë, Olldashi u shpreh se procedura do të jetë e njëjtë si më parë. “Komisioni i Sigurisë Kombëtare, i cili po shqyrton projektligjin për përgjimet e telekomunikacioneve, nuk ka si qëllim të ndryshojë ligjin e mëparshëm. Sipas ligjit të miratuar në vitin 2003, institucionet që kanë të drejtë të kërkojnë përgjimet e telekomunikacioneve janë SHISH-i, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, Policia e Shtetit dhe të gjitha ato shërbime të tjera informative që kanë të drejtën ligjore të kërkojnë këto informacione. Baza e institucioneve të lartpërmendura, që kanë të drejtën të kërkojnë përgjimet e telekomunikacionit, nuk do të preket nga ky projektligj. Përgjimet proceduriale, të cilat me të gjithë kuadrin ligjor aktual janë vetëm e drejtë e prokurorisë, do të bëhen nga prokuroria nëpërmjet një linku, i cili do të vendoset me anë të një aparature drejt prokurorisë. Duke respektuar ligjin e 2003-shit, do të ndahet sektori i Prokurorisë së Përgjithshme me atë të Policisë së Shtetit. Gjurmimet e këtyre institucioneve tashmë do të jenë të ndara, në varësi të problematikave që ata paraqesin”, - u shpreh Olldashi. Pavarësisht deklaratës së ministrit Olldashi, deputeti socialist Petro Koçi u shpreh se opozita do të jetë kundër këtij projektligji. “Lidhur me ligjin e përgjimeve, opozita vlerëson kërkesën e Prokurorisë që bërthama përgjuese të transferohet pranë ambienteve të këtij institucioni të pavarur. Komisioni do të vazhdojë edhe më tej debatin për këtë projektligj, duke dëgjuar edhe drejtues të institucioneve të tjera, siç janë Ministria e Brendshme dhe SHISH-i. Mbetet në opozitë të fortë ndaj faktit që projektligji kërkon që në ekzekutimin e përgjimeve të përfshihet drejtpërdrejt Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Policisë dhe vetë Policia, të cilat janë institucione që kanë varësi nga një person politik, siç është ministri i Brendshëm. Duke qenë se operatorët që marrin përsipër administrimin e përgjimeve shtohen, atëhere hapësirat për të abuzuar jo vetëm politikisht, por edhe me të drejtat dhe liritë e njeriut, janë më të mëdha dhe ne prandaj jemi kundër kësaj pjese të projektligjit”, - tha Koçi.
13 Shkurt 2008