E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli vazhdon turin për NATO-n dhe Kosovën

Kryetarja e Parlamentit ka vazhduar ditën e djeshme takime me nivel diplomatik ku ka rikërkuar mbështetje për anëtarësimin e vendit në NATO si dhe për pavarësinë e Kosovës. Ambasadori i Bullgarisë në Shqipëri, Theodor Roussinov, gjatë një takimi me kryetaren e Kuvendit ditën e djeshme deklaroi se Bullgaria është ndër ato grupe vendesh që beson se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO do t’i shërbejë paqes në rajon e më gjerë. Ambasadori bullgar konfirmoi dëshirën se bashkëpunimi dhe dialogu mes dy vendeve të nxiten edhe më tej me shkëmbime të delegacioneve nga komisionet parlamentare reciproke. Gjithashtu, ai shprehu bindjen se Shqipëria do të marrë ftesën për anëtarësim në Samitin e Bukureshtit. Lidhur me çështjen e Kosovës, ambasadori i Bullgarisë u shpreh se Bullgaria, ashtu si Shqipëria, e vlerëson paketën “Ahtisari” si zgjidhje të vetme për paqe e stabilitet. Nga ana e saj, kryetarja Topalli falënderoi ambasadorin Roussinov për mbështetjen e vazhdueshme që po jep Bullgaria për Shqipërinë. Njëkohësisht, Topalli zhvilloi ditën e djeshme një takim me kryetarin e Komunës së Gjakovës Pal Lekaj dhe me delegacionin që e shoqëronte, të përbërë nga akademikë, përfaqësues të pushtetit vendor, të biznesit dhe të medias së Gjakovës, ku zyrtarët lokalë shprehën mirënjohje për kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë.

13 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›